English

Shpërthim tritoli në Fier, dëmtohet banesa e familjes Toska

Fier, 12 korrik NOA - Një banesë është dëmtuar në qytetin e Fierit pasi persona që ende nuk janë identifikuar lëshuan një sasi lënde plasëse e cila dha efektin e pritshëm.

Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA, informon se ngjarja ka ndodhur në lagjen "15 tetori", pranë shkollës "M.Dashi" në qytetin e Fierit, në shtëpinë përdhese të Kozma Llazi Toska, 74 vjeçar, lindur e banues në këtë lagje.

Nga rindërtimi i skenës së krimit, policia sqaroi se në orën 05.30 të ditës së sotme, të paktën një person, është afruar në portën kryesore të shtëpisë private të familjes Toska, dhe atje ka vendosur një kallëp tritoli në masën 200 gramë.

Pak më vonë, tritoli ka shpërthyer duke shkatërruar portën hyrëse dhe xhamate e banesës si dhe të disa banesave përreth.

Për shkak se dhomat e banimit gjendeshin larg derës kryesore ku ishte vendosur tritoli, ato nuk pësuan dëmtime duke shmangur dhe viktima të mundshme pasi familja, burrë e grua në moshë të thyer, ishte në gjumë.

Policia tha se ka marrë në pyetje të moshuarin Kozma Toska i cili ka përjashtuar çdo mundësi që të ketë qenë ai ose tre fëmijët e tij, që nuk jetojnë me të, objekt i atentatit.

Në kuadrin e hetimeve, gjithsesi, policia tha se ka lokalizuar disa pista të cilat i ka në ndjekje e sipër.

v.m/NOA

Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore

KOMENTE