English

Tmerri i banorëve të Komotinisë në Greqi, kapet shqiptari që vidhte makina

Komotini, 12 Korrik NOA - Një i ri shqiptar që kishte shkuar në Greqi që të jetojë si emigrant, duket se nuk e kishte çarë dot me punë, ndaj ka vendosur të merret me atë që i vinte më shumë doresh, plaçkitje.

Duke "punuar" gjithnjë e më shumë në këtë drejti, 20-vjeçari shqiptar, pa leje të rregullt qëndrimi në Greqi, kishte arritur të shndërrohej në pak muaj, në një mjeshtër të vjedhjes së makinave.

Kjo gjë, kishte sjellë kokëçarje serioze në rajonin e Komotinit në Kalisti, ku banorët herë pas here po denonconin kohët e fundit në polici, zhdukje të makinave të tyre.

Policia e rajonit në bashkëpunim me atë të rajonit Rodhopi, nisi një hetim të përbashkët për 20-vjeçarin shqiptar.

Ajo zbuloi se i riu kishte marrë një urdhër dëbimi nga Greqia që ishte firmosur nga kryetari i bashkisë së Rodhopisë, pas një vendimi gjykate për shkelje të rregullave të qëndrimit në vendin fqinjë.

Edhe ky vendim, nuk e kishte penguar të riun shqiptar që të vazhdonte jetën në Greqi, madje duke e shkelur ligjin edhe ca më shumë, duke plaçkitur.

Por kjo nuk ka zgjatur shumë, sepse mëngjesin e së Dielës, 20-vjeçari është kapur në befasi në Kalisti dhe i është dorëzuar prangave policore, pa rezistencë, pikërisht kur po përpiqej të futej në një makinë të cilës pi i hapet dyert.

Policia tha se e kishte prej disa ditësh nën vëzhgim 20-vjeçarin. Nga hetimi dhe provat e mbledhura, policia tha se provoi implikimin direkt të 20-vjeçarit shqiptar në vjedhjen e disa makinave, kryesisht prodhime të viteve të fundit, të markave "Alfa Romeo", "Opel", "Fiat", etj.

Policia tha se pas marrjes në pyetje, i riu pranoi vjedhje makinash për katër raste në Rodhopi, Komitini dhe Kalisti, kurse hetimet do të vazhdojnë për të dërguar në gjykatë dosje me prova edhe për disa vjedhje të tjera në këto zona turistike greke.

n.s/NOA

Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore

KOMENTE