Vlorë, 12 Korrik NOA - Tragjedi me dy të vdekur në Vlorë, pasi natë e bijë të një familjeje nga Fieri, u mbytën duke u larë në detin Jon.
Ngjarja i mori jetën 40-vjeçarit Kudret Çepele dhe vajzës së tij 15-vjeçare Erisona, ndërkohë që në spital për shkak të lëndimeve përfunduan dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, duke cituar dëshmi në vendngjarje, detajon se gjithçka ka ndodhur sot, pak para mesdite.
Kudret Çepele lindur në fshatin Bishan, komuna Novoselë dhe me banim në Fier, së bashku me të shoqen, djalin dhe vajzën e tyre, kanë shkuar të kalojnë të dielën në plazhin te vendi i quajtur "Delisuf".
Ka qenë ora 10.30 kur Erisona dhe vëllai i saj 12 vjeçar, ishin duke u larë në det, kurse dy prindërit e tyre po qëndronin në çadër.
Në një moment, dallgët kanë rrëmbyer fëmijët. Skena është parë nga babai 40 vjeçar Kudreti dhe bashkëshortja e tij 37 vjeçare dhe menjëherë, ata kanë rendur të shpëtojnë fëmijët.
Kudreti, ka arritur të nxjerrë në breg të birin 12 vjeçar dhe pasi e la të sigurt në rërë, rendi sërish në det për të marrë të bijën të cilën po tentonte ta shpëtonte e ëma.
Por dallgët kanë qenë fatale sepse ato kanë rrëmbyer fatalist babë e bijë ndërsa i pari përpiqej të shpëtonte fëmijën e tij dhe jeta e tyre u shua, pa mundur dot të ndihmohen nga askush.
Në det janë futur shumë plazhistë, pushues të rastit dhe ata kanë arritur të nxjerrin nga deti nënën 37 vjeçare që humbi në det të shoqin dhe vajzën, por në gjendje koma.
Mbërritja e policisë, ka qenë vetëm një formalitet. Ata, së bashku me mjekun ligjor, kanë nxjerrë trupat dhe kanë konfirmuar vdekjen e atë e bijë, nga mbytja si pasojë e përfshirjes nga dallgët.
Ndërkohë, në gjendje kritike për jetën, është dërguar në spital 37-vjeçarja e cila sipas mjekëve ka pësuar dëmtime të rrugëve të frymëmarrjes si pasojë e përfshirjes nga dallgët.
Gjithashtu në gjendje serioze gjendet në spital, djali 12 vjeçar, por mjekët thanë se aktualisht, ai është jashtë rrezikut për jetën.
/m.m/k.k/NOA/
Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore