English

Kreshnik Qato fiton provën e radhës: Tani, gati për sfida më të forta

Nga Altin Kodra

Tiranë, 13 korrik NOA - Boksieri i mirënjohur shqiptar , ka patur nevojë për vetëm 3 raunde për ta hedhur në tapet 32-vjeçarin hungarez, në sfidën e është zhvilluar në Londër.

Qato, e ka kapërcyer me sukses provën e tij të radhës, duke triumfuar bindshëm në një ndeshje përgatitore ndaj hungarezit Zoltan Surman.

Qato ka patur nevojë për vetëm 3 raunde për ta hedhur në tapet 32-vjeçarin hungarez, në sfidën që është zhvilluar në kryeqytetin anglez, Londër, që është edhe rezidenca e boksierit të njohur shqiptar, i cili për momentin mban titullin e kampionit të botës në versionin "WBF".

Dueli midis Kreshnik Qatos dhe Zoltan Surmanit, i vlefshëm për peshën e mesme, ishte ndeshja më e rëndësisme midis 5 sfidave që u zhvilluan në mbrëmje në "Kensington Taun Holl" të Londrës, nga të cilat dy ishin të peshës "pupël", një i peshës së lehtë dhe një i nënpeshës së mesme.

Kjo ndeshje, e cila ka nisur pak para mesnate me orën e Tiranës, është zhvilluar nën entuziazmin e mbi 1500 shqiptarëve që kishin mbushur këtë arenë, për të inkurajuar bashkatdhetarin e tyre.

Dhe Kreshnik Qato nuk i ka zhgënjyer, duke u hedhur në sulm që në fillim dhe duke e dominuar gjithë raundin e pare.

E njëjta tablo ka mbizotëruar edhe në raundin e dytë dhe është bërë e qartë që fitorja e boksierit shqiptar ishte e pashmangshme dhe kjo ka ndodhur në raundin e tretë, kur Surman është rrëzuar përtokë nga goditjet e Qatos dhe gjyqtari është detyruar ta ndërpresë takimin, duke i dhënë fitoren 31-vjeçarit nga Durrësi.

Pas këtij suksesi, Kreshnik Qato ka një bilanc prej 20 fitoresh dhe 6 humbjesh dhe në renditjen botërore të boksit profesionist, ai tanimë renditet i 39-ti midis afro 1,050 boksierëve të kategorisë së peshës së mesme, ashtu sikundër është ngjitur edhe në renditjen evropiane, ku mban vendin e 21-të midis afro 302 boksierëve.

Por më e rëndësishmja është se në katër vitet e fundit ai mbetet i pamposhtur, duke shënuar 13 fitore radhazi.

Duke folur pas përballjes së të shtunës në mbrëmje, Qato ka theksuar se është iI kënaqur për fitoren që ka korrur dhe që nuk i ka zhgënjyer dashamirësit e tij dhe tifozët shqiptarë kudo ndodhen, si dhe ka falënderuar promotorin e tij, Ylli Ndroqi, për mbështetjen që i ka dhënë.

"Isha i përgatitur për këtë fitore, pasi e kam parë këtë ndeshje si përgatitje për prova më të mëdha, - ka theksuar ai. - Tanimë synoj mbrojtjen e titullit botëror të WBF-së, si dhe tituj të federatave të tjera të rëndësishme."

a.k/NOA/k.k/NOA

Kreshnik Qato

Curriculum Vitae

Datëlindja: 13 gusht 1978

Mosha: 31 vjeç

Kombësia: Shqiptar

Vendlindja: Shqipëria

Vendbanimi: Uembli, Londër - Britani e Madhe

Gjatësia: 180 cm

Kategoria e peshës: E mesme

Promotor: Ylli Ndroqi

Nofka: Shqiponja (The Eagle)

Renditja botërore: 39/ 1050

Renditja evropiane: 21 / 306

Bilanci : 26 ndeshje

Fitore : 20 (4 me KO)

Humbje : 6 (2 me KO)

Barazime : 0

KOMENTE