Â
Tiranë, 13 Korrik NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka liruar sot me kusht ish-shoferin e Gjykatës Kushtetuese i kapur me 50 kg drogë, tre vjet më parë.
Gentian Alizoti është liruar nga gjyqtarja Shefkie Demiraj. Alizotit i kishte mbetur edhe një vit nga dënimi i tij.
Ai u vu në pranga më 28 qershor të vitit 2006, tek "Ura e Subashit", teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e Gjykatës Kushtetuese, tip Honday me targa TR 4807 J. Ndërkohë që me automjetin e Kuvendit, udhëtonte ish-shoferi i këtij institucioni, Armando Gjinushi.
Pas një ndalimi nga policia Alizotit iu gjet një sasi prej 50 kg drogë, ndërkohë që Gjinushit iu gjet sasi prej 70 kg, e destinuar për shitje.
Alizoti sipas vendimit të gjykatës nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale gjatë kësaj kohe që është liruar me kusht, në të kundërt ai duhet të vuajë dënimin që i ka mbetur përveç veprës së re.
/e.l/b.a/NOA/