Tiranë, 14 korrik, NOA - Studentët shqiptarë që janë regjistruar apo janë në fazën e regjistrimit në universitetet italiane, mund të përfitojnë sikurse edhe studentët italianë, nga shërbimet për të drejtat e studimit si bursa studimi, përjashtimi i plotë apo i pjesshëm nga taksat dhe tarifat universitare etj.
Lajmi bëhet i ditur nga Ambasada Italiane në Tiranë, e cila përmes një njoftimi u bën thirrje këtyre studentëve që pretendojnë të përfitojnë nga shërbimet e lartpërmendura të caktojnë një takim pranë zyrës së Legalizimeve të kësaj Ambasade duke telefonuar në numrin 0900 404 3000 nëse telefonojnë nga një numër fiks dhe në numrin 0900 404 4000 nëse telefonojnë nga telefon fiks apo celular.
"Të interesuarit do të priten me përparësi, prej ditës së hënë, datë 3 gusht 2009 deri ditën e premte, datë 14 gusht 2009", thuhet në njoftimin përkatës të Ambasadës Italiane në Tiranë.
Duke shtuar se të gjitha dokumentet e legalizuara për arsye studimi janë falas.
"Ambasada rikujton gjithashtu se të gjithë studentët tashmë të regjistruar, krahas dokumenteve për legalizim, janë të detyruar të paraqesin domosdoshmërisht dhe vërtetimin e regjistrimit në universitet për vitin shkollor 2009-2010", sqarohet më tej.
Duke përfunduar se pasi të kenë mbërritur në Itali, studentët mund të paraqesin dokumentet e legalizuara pranë zyrave kompetente të universiteteve italiane në të cilat janë regjistruar, për të mundësuar kështu përfitimin e shërbimeve për të drejtat e studimit.
n.e/NOA