English

Berisha paralajmëron largimin e Xhuvelit, kritika të forta për shpërfilljen e ndotjes

Tiranë, 14 Korrik NOA - Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar sot fare qartë, se Lufter Xhuveli nuk do të jetë më ministër i Mjedisit, post që e mban pa u shqetësuar fare prej disa vjetësh, kurse ndotja në vend, për të cilën ai përgjigjet, ëhstë në nivele të frikshme.

Në mbledhjen e sotme të KRRTRSH-së, Kryeministri ka folur për një studim për efektin që shkaktojnë fabrikat e çimentove në mjedis, duke e cilësuar si tepër të rëndësishëm.

Por ky projekt, ishte në të vërtetë një kërkesë e vjetër e Berishës që as nuk ishte marrë kurrë në konsideratë nga Xhuveli që duket se e kishte hedhur në koshin e plehrave.

Ndaj sot, Berisha u detyrua t'i tërheqë vëmendjen publikisht: "Zoti ministër i Mjedisit, Lufter Xhuveli, në një mbledhje të është kërkuar dhe sërish të kërkoj që të bëhet studimi i efektit kumulativ të fabrikave të çimentove mbi mjedisin".

Kjo kritikë, u ndesh me ulje koke nga Xhuveli, që mesa duket e ka kuptuar dhe është i qartë se atë post nuk do ta gëzojë më, përderisa dhe partia e tij, ishte fantazmë në këto zgjedhje, duke mos marrë asnjë deputet për Kuvendin e ri.

Berisha tha se ky studim është i domosdoshëm, sepse mjedisi duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si përparësi madhore e jona.

"Individë apo grupe të caktuara kanë shprehur shqetësim për ndërtimin e tyre dhe përgjigja jonë më e mirë është studimi i efektit kumulativ të këtyre çementerive", - deklaroi kryeministri.

Kurse vazhdoi: "Mbi këtë bazë ne marrim të gjitha vendimet. Për ne mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij janë përparësi absolute. Ndaj dhe mundësisht brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për të shpallur tenderin dhe për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira për të bërë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër", u shpreh Kryeministri Berisha.

Ai kërkoi që brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për shpalljen e tenderit për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira, e cila do të bëjë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër.

Më tej, Kryeministri u shpreh se në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet për miratimin e lejeve të ndërtimit të katër fabrikave të prodhimit të çimentos.

"Ne do t'i miratojmë ato, por vendimi do të zbardhet vetëm pasi të kemi në dorë studimin serioz mbi efektin e tyre", - paralajmëroi Berisha.

Ai pohoi se çdo vonesë në këto investime ka një çmim për ekonominë shqiptare, ka një çmim për punësimin ndaj kërkoi që "ta zvogëlojmë sa më shumë në kohë, studimin për efektin e tyre", duke iu "hakërryer" kështu edhe një herë ministrit Xhuveli, që për këtë projekt, pas kërkesës së parë, sikundër pohoi Berisha, as që "e vuri ujin në zjarr".

e.l/NOA

KOMENTE