English

Ministri i Brendshëm i ofron kreut të Interpolit, "çdo lloj bashkëpunimi që nevojitet"

Tiranë, 14 Korrik NOA - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Ronald K. Noble.

Nishani evidentoi në këtë takim se është dashur një punë dhe një vullnet i jashtëzakonshëm për arritjet në luftën kundër kriminalitetit dhe goditjen e grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri, të cilat kishin mbështetje deri edhe prej individëve nga fusha e politikës apo strukturat policore.

Ministri i shprehu Sekretarit Noble vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ecur përpara në rrugën e forcimit të demokracisë, zbatueshmërisë së ligjit dhe forcimit të institucioneve, duke përmbushur të gjithë angazhimet e duhura.

"Në sajë të bashkëpunimit me INTERPOL-in kemi arritur rezultate shumë të mira për arrestimin, ekstradimin dhe vënien para drejtësisë të personave që kishin kryer krime shumë të rënda në Shqipëri", - deklaroi Ministri i Brendshëm Bujar Nishani.

"Këto rezultate, - vazhdoi ai, - kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në forcimin e besimit të shoqërisë shqiptare tek institucionet e shtetit demokratik, e në veçanti tek strukturat policore".

Nga ana tjetër, Nishani premtoi se "ne do të vëmë në dispozicion të gjithë kapacitetet dhe aftësitë tona dhe çdo lloj bashkëpunimi që do të nevojitet nga agjencia juaj".

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it Z. Ronald K. Noble shprehu në takim vlerësimet maksimale për punën e kryer nga strukturat policore shqiptare, të cilat në një kohë shumë të shkurtër kanë arritur rezultate të shkëlqyera.

Sekretari Noble deklaroi gjithashtu se edhe bashkëpunimi i deritanishëm ka njohur nivele shumë të mira si në shkëmbimin e informacioneve dhe shkëmbimin e përvojës ashtu edhe në operacionet e përbashkëta të strukturave policore shqiptare dhe atyre të INTERPOL-it.

Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, po ashtu vlerësoi si mjaft të rëndësishme praninë e oficerit të kontaktit të Shqipërisë pranë agjencisë në Lion, Francë.

e.l/NOA

KOMENTE