Tiranë, 14 korrik NOA Foto Update - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kundër Krimit të Organizuar dhe të Rëndë (SOCA) të Mbretërisë së Bashkuar, Bill Hjuxhs.
Ai gjatë kësaj vizite pune në Tiranë shoqërohej nga një delegacion zyrtar. Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mekiluam si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
Kryetari i shtetit bëri një përshkrim të reformave të ndërmarra në vendin tonë si ajo zgjedhore dhe reforma në drejtësi, me qëllim përmbushjen e standardeve integruese.
Topi ka vënë në dukje edhe reformat dhe transformimin e forcave të policisë shqiptare, të cilat, sikundër tha, "luajtën dhe përmbushën me shumë profesionalizëm dhe efektshmëri rolin e tyre ligjor e të paanshëm gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare të 28 qershorit 2009".
Presidenti vlerësoi me këtë rast përkrahjen e gjithanshme dhe bashkëpunimin shumë të mirë me Mbretërinë e Bashkuar në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.
Ai nënvizoi se pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, në NATO, shkëmbimi i përvojës pozitive mes strukturave të policisë dhe atyre të sigurisë, marrja dhe administrimi i informacioneve, kontrolli i kufijve dhe lufta kundër trafiqeve të paligjshme marrin një rëndësi të veçantë strategjike.
Kurse Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kundër Krimit të Organizuar dhe të Rëndë (SOCA) të Mbretërisë së Bashkuar, Bill Hjuxhs vlerësoi arritjet e shënuar në Shqipëri përsa u përket luftës së suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformës në drejtësi, ndërtimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
Në këtë pikë, ai ka theksuar "bashkëpunimin e frytshëm dhe serioz mes dy vendeve tona dhe institucioneve përkatëse të sigurisë dhe të rendit".
Këtë bashkëpunim, z. Hjuxhs, e ka cilësuar atë "një shembull pozitiv për t'u përhapur në mbarë rajonin ballkanik".
Në këtë drejtim u nënvizua rëndësia e procesit të binjakëzimit mes forcave homologe të policisë të dy vendeve "mike dhe aleate" siç e theksoi edhe Presidenti Topi.
/e.l/NOA/