English

Barrot e Rehn: Shqipëria nuk përfiton heqjen e vizave me BE. Shkaku, kufijtë dhe pasaportat

Bruksel, 15 korrik, NOA Update - Shqipëria dhe Bosnja nuk përfitojnë nga regjimi i lehtësuar i vizave me Bashkimin Evropian. Strukturat evropiane kanë shtyrë për dias muaj të tjerë procedurat me këto dy vende për të përfituar nga heqja e vizave.

Lajmi është bërë i ditur në mënyrë zyrtare nga përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, zv/presidenti Jacques Barrot dhe komisoneri për zgjerimin, Olli Rehn.

Gjatë një konference për shtyp të përbashkët në selitë e Brukselit, ata kanë publikuar propozimin zyrtar që do t'i paraqesin Komisionit Evropian për heqjen e vizave në vitin e ardhshëm.

Ai përmban vetëm tre vende të Ballkanit Perëndimor: Serbinë, Malin e zi dhe Maqedoninë, duke përjashtuar Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

"Shqipëria nuk i përmbushi kriteret. Por ato nuk u përmbushën as nga Bosnja. Kushtet e përbashkëta që duhej të plotësonin këto dy vende ishin pasaportat biometrike apo edhe kontrolli i kufijve. Në asnjë prej këtyre dy vendeve nuk ka pasaporta biometrike, prandaj ne nuk pranuam liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian për këto dy vende", thanë që të dy përfaqësuesit e lartë të BE lidhur me një fakt të tillë.

Ndërkaq, ata kanë shtuar se dialogu po vazhdon dhe BE do t'i ndihmojë këto dy vende që t'i përmbushin sa më parë kriteret për të përfituar më pas heqjen e vizave me Bashkimin Evropian.

n.e/NOA

KOMENTE