Bruksel, 15 korrik, NOA - Bashkimi Evropian sot propozon zyrtarisht heqjen e vizave me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në një mbledhje të posaçme që do të zhvillohet në Bruksel, do të jenë komisionerët evropianë Jacque Barrot dhe Oli Rehn ata që do të propozojnë sot në Bruksel futjen e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë në të ashtuquajturën "Lista e bardhë e Shengenit".
Kjo do të thotë se prej një janarit të vitit 2010, qytetarët e këtyre vendeve do të udhëtojnë në hapësirën e Shengenit pa viza.
Komisionerët e BE-së do t'ia dërgojnë këtë propozim Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili vendimin përfundimtar do ta marrë në vjeshtë.
Por heqja e vizave nuk vlen për banorët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, siç janë shqiptarët apo boshnjakët.
Kjo , pasi në raportin përkatës të nxjerrë nga BE për përfitimin e lehtësimit të regjimit të vizave, Bosnja dhe Shqipëria rezultojnë të jenë vende që nuk kanë përmbushur kriteret e duhura, ndaj për këtë pritet të diskutohet gjatë vitit të ardhshëm.
n.e/NOA