Tiranë, 15 Korrik NOA - Kryeministri Sali Berisha u ka bërë një "leksion" me nota realiste kolegëve botërorë, kur përmendi fakte që lidhen me masat antikrizë nëpër botë, por që në Shqipëri, u aplikuan për të zhvilluar më tej ekonominë.
Kryeministri kujtoi faktin se kur kriza shpërtheu fuqishëm, qeveritë rendën pas bonuseve fiskale.
Këtu, ai shtoi: "Ne, këto bonuse, i kishim vendosur dhe jo se kishim parashikuar krizën, por si kushte për të zgjeruar lirinë e tregut, si kushte për të vendosur Shqipërinë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike dhe për ta bërë atë tërheqëse për investimet e huaja".
Berisha tha se ekonomia shqiptare është mbi baza solide, ndaj ajo rritet: "Ne, absolutisht si asnjë vend, kemi investuar në vitin e kaluar rreth 10 për qind të GDP-së në infrastrukturë dhe pikërisht të njëjtën gjë po bëjmë edhe këtë vit, ndërkohë kur vjet qeveria e dytë me investimin më të madh publik ka qenë me 5.5 për qind të GDP-së", - deklaroi Berisha.
Kryeministri shtoi se nuk them se këtë e bëmë nga kriza, por nga nevojat e mëdha të vendit për ndërtim dhe rindërtim".
Por nga ana tjetër, - shtoi ai, - kjo ka një efekt të fuqishëm në rritje, një efekt të fuqishëm në kërkesë dhe në stabilitetin e rritjes që ka Shqipëria".
Kreu i qeverisë, duke u ndalur në rritjen ekonomike tha se tremujori i dytë dhe i tretë janë qartësisht më optimistë dhe rritja prej 6 për qind në tremujorin e parë është një tregues i mirë për këtë.
"Dy tremujorët që vijnë, mars-qershor dhe qershor-shtator, janë qartësisht shumë më optimistë', - tha Berisha.
Ai pohoi se nuk mund të thotë sa do të jetë rritja, pasi "nuk mund ta paragjykoj dhe do të varet shumë nga kriza botërore e tremujorit të fundit, e cila ka peshën e vet".
Në përfundim të këtij argumenti, Berisha u shpreh optimist se "janë të gjitha gjasat që kriza botërore ekonomike të kapërcehet me pasojat minimale".
Nëse nuk do të kishte qenë kriza, tha Kryeministri, rritja do të ishte më e lartë.
e.l/NOA
Lexoni lajmin pararendës mbi rritjen ekonomike: INSTAT: Ekonomia shqiptare u rrit me 6 për qind