Tiranë, 15 Korrik NOA - Kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka uruar Kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike për fitoren e zgjedhjeve parlamentare.
Në telegramin që z.Pacolli i ka dërguar kryeministrit, shprehet:
I nderuari z.Kryeministër
Më lejoni të ju përcjell urimet e mia dhe të Partisë që unë drejtoj "Aleanca Kosova e Re", dëshirat më të mëdha dhe më të përzemërta për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
Duke njohur veprimtarinë tuaj politike dhe vlerat në të cilat është mbështetur elektorati i PD-së, besoj fuqishëm se nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria do të ketë garantin kushtetues për funksionimin më të mirë të shtetit, për integrimet shqiptare dhe euro-atlantike.
Shqipëria demokratike ka bërë përparime të shkëlqyeshme në rimëkëmbjen e vet pas diktaturës së gjatë komuniste.
Ka ardhur koha që këto përparime të çohen më tej në të mirë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi.
I nderuari z.Kryeministër.
Kosova është tani e pavarur, presim me besim të plotë që të vazhdoni të jepni kontributin e duhur që Qeveria e Shqipërisë, ia ka dhënë e po ia jep në kontinuitet Kosovës, në përputhshmëri me institucionet e BE-së.
Shqipëria dhe Kosova, si vende të pavarura e prosperuese, do të jenë krah për krah në rrugët e integrimeve të strukturave euro-atlantike, në familjen e vlerave perëndimore, ku jetojnë natyrshëm vlerat dhe kultura jonë e vjetër.
Ju përgëzoj i nderuari z.Berisha edhe një herë për fitoren e partisë tuaj, duke ju uruar shëndet dhe punë të mbarë në shërbim të shqiptarëve dhe Shqipërisë", - përfundon mesazhi.
e.l/NOA