Përmet, 15 korrik, NOA - Në rajonin e Policisë së Përmetit ka mbërritur një telefonatë se në fshatin Vinokash, një person ka djegur kasollen e bagëtive të një bashkëfshatari të tij.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Përmetit dhe grupi hetimor, ku është konstatuar se 37-vjeçari Artan Shehaj, lindur dhe banues në Vinokash, rreth orës 03.00 të mëngjesit ka djegur me dashje kasollen e bagëtive të personit me iniciale S.K, po nga ky fshat. Madje, flakët kanë rrezikuar të përfshinin edhe banesën e bashkëfshatarit S.K, pasi kasollja ishte shumë afër me banesën.
Ndërkaq, S.K së bashku me banorët e fshatit kanë mundur të shpëtojnë bagëtitë dhe banesën nga flakët, ndërsa i janë djegur plotësisht të gjitha matërialet e tjera si baza ushqimore etj, si edhe 30 pula e një qen.
Nga veprimet hetimore por edhe nga dëshmitë e marra nga familjarët dhe bashkëfshatarët rezulton se ky person është me të meta mendore, por që s'është pajisur me kartelë mjekësore.
Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e para proceduriale dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Artan Shehaj për veprën penale të "Shkatërrimit të pronës me zjarr", parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA