English

Firmat e ndërtimit që s'kanë përfunduar 70% të kontratës së mëparshme, nuk marrin më pjesë në tenderë

Tiranë, 15 Korrik NOA - Qeveria vendosi sot që kompanitë e ndërtimit nuk do të kenë të drejtë të marrin pjesë në tender për punë publike, në rast se nuk kanë përfunduar 70 për qind të kontratës së mëparshme.

Ky vendim, tha Kryeministri Berisha, nuk synon ndëshkim, por një obligim për të investuar në të gjitha aspektet në kompanitë e tyre.

Para disa kohësh, qeveria rriti nga 1 milion euro që kishin të drejtën e tenderit në 10 milionë euro, ato iu përgjigjën këtyre përgjegjësive me rritje të kapacitete dhe cilësisë.

Duke përjashtuar segmentin Rrëshen-Kalimash, Rexhepaj-Kalimash dhe rrugën e Konispolit, të gjitha rrugët e tjera ndërtohen nga kompani shqiptare, si kontraktorë direkt ose si nënkontraktorë.

Për Berishën, kjo është shumë pozitive, por nevojat e vendit janë shumë më tej.

"Ne kemi treguar indulgjencë dhe mirëkuptim se rritja e menjëhershme e kapacitete nuk është një proces i thjeshtë",

Kryeministri theksoi se "kemi rritur shumë të ardhurat dhe ata dora-dorës i janë përgjigjur", por shtoi se "sërish konstatojmë se nuk janë në nivelin e potencialit financiar të qeverisë".

"Ndaj sot vendosim, - tha Berisha, - që nuk do të kenë të drejtë të marrin pjesë në tender kompanitë që nuk kanë përfunduar 70 për qind të kontratës së mëparshme".

Sipas kryeministrit, ky vendim "nuk synon ndëshkim, por një obligim të tyre për të investuar në të gjitha aspektet në kompanitë e tyre."

Berisha u shpreh se shpresonte që vendimi të mirëkuptohet si një kusht për zhvillimin sa më të shpejtë të vendit .

"Kompanitë, - tha Kryeministri - duhet të fuqizojnë kapacitetet, të blejnë makineri, të fuqizojnë stafet dhe të zmadhohen. Kjo është besim. Nga një anë, mund të duket si kufizim, por absolutisht nuk synon atë, përkundrazi, - theksoi Berisha.

Këtu ai foli me shembuj konkretë: "Ne filluam ta ndajmë rrugën me lote dhe po marr rastin e rrugës Fushë Krujë-Milot që u nda në 8 lote dhe sërish e njëjta situatë, pasi çojnë dy faroma në një vend, tre makineri në një vend tjetër".

E studiuam praktikën e loteve, - vijoi kryeministri, - dhe pamë që edhe kjo praktikë përfundoi në labirintet e plogështisë. Kjo është e hidhur, pasi vendi ka nevojë për rrugët. "Ndaj merret ky vendim jashtëzakonisht i domosdoshëm për vendin, - argumentoi Berisha, - pasi, në rast se ka një vend kohëhumbur, jemi ne".

Duke përfunduar, kryeministri u shpreh se ne kemi nevojë të fitojmë kohën e humbur dhe shpresoj që ndërtuesit shqiptarë ta mirëkuptojnë këtë si një kusht për zhvillimin e shpejtë të vendit.

"Ne kemi qenë mirëkuptues, duke shpresuar se ata do të shumëfishonin kapacitete, por kanë kaluar tre vjet dhe ndonëse kanë bërë një punë të madhe, nuk janë në nivelin ku duhet të ishin. Ne kemi qenë shumë mirëkuptues, kooperues me to, por koha është e shqiptarëve dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur kohën e tyre", - konkludoi Berisha.

/a.k/e.l/NOA/

KOMENTE