English

Kreu i PS, komenton deklaratat e Oli Ren për heqjen e vizave me Shqipërinë

Tiranë, 15 Korrik NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka komentuar sot deklaratat e Oli Ren mbi heqjen e vizave Shqipërisë për në vendet e BE, në një kohë të mëvonshme, e pritshme në vitin 2010, duke vlerësuar se PS e kishte paralajmëruar.

"Sot është fakt që Shqipëria për shkak të këtij Kryeministri, të asaj qeverie, që nuk mori më një mandat për të vazhduar dhe të zgjedhjeve pa standarde, është më e izoluar se sa ishte përpara zgjedhjeve të 28 qershorit", - tha Rama.

Ai evidentoi se ndërkohë që Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia hyn në programin e liberalizimit dhe ndërkohë që qytetarët e këtyre vendeve do të lëvizin lirisht në Evropë shumë shpejt, "shqiptarët e shqiptaret do të duhet të përballen me po ato vështirësi dhe ato procedura të pamundura, që deri sot janë për vendet e tjera të BE, edhe kur do t'ju duhet të shkojnë në Mal të Zi apo Maqedoni".

Për Edi Ramën, kjo është dhurata e Sali Berishës për shqiptarët e shqiptaret.

Këtu Rama theksoi se "kjo është një tjetër arsye për të kuptuar që të gjithë se Shqipëria sot është e marrë peng, përmes një pushteti, i cili kërkon me çdo kusht të qëndrojë në këmbë dhe që është i gatshëm të bëjë edhe marrëveshjet më të pamundura për të qëndruar në këmbë".

Sipas Edi Ramës, kjo bëhet "vetëm e vetëm që të vazhdojnë në të njëjtën rrugë, e cila po e lë Shqipërinë jashtë rrugës që meritojnë të gjithë shqiptarët e shqiptaret, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi".

Nga ana tjetër, Rama tha se Shqipëria "po shkon drejt një tjetër stacioni të paralajmëruar prej nesh, që është stacioni i një krize reale, jo vetëm të ndjeshme, por edhe të prekshme, jo vetëm të përgjithshme, por edhe të veçantë për të gjitha familjet shqiptare nga pikëpamja ekonomike".

e.l/NOA

KOMENTE