Shkup, 15 korrik, NOA - Posedimi i një sasie të madhe të armëve ilegale nga popullsia civile në Maqedoni, është vlerësuar si shkaku kryesor për paraqitjen në shoqëri të dukurive devijuese si dhuna, vrasjet dhe grabitjet e bankave.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë vlerëson se numri i armëve ilegale, të kalibrave të ndryshëm, është midis 50.000 dhe 100.000. Edhe agjencia për zhvillim e Kombeve të Bashkuara, UNDP, ka dalë me vlerësimet e saj për posedimin ilegal të armëve nga ana e qytetarëve. Grupi hetimor për armatime të lehta, ka publikuar nga Gjeneva të dhëna shqetësuese që thonë se 110 mijë deri 170 mijë persona në Maqedoni, posedojnë armë ilegale. Raportet policore bëjnë të ditur se shumica e veprave penale në Maqedoni janë të kryera nga persona që kanë poseduar armë pa leje. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë këtij viti kanë ndodhur gjashtë vrasje. Në të gjitha këto vrasje është përdorur armë jo legale. Gjithashtu, 40 për qind e numrit të përgjithshëm të veprave penale janë të lidhura me tregti të armëve pa leje. Policia ka regjistruar 123 këso lloj veprash penale dhe ka arrestuar 141 persona.
NOA-INA