English

PD: Edi Rama nën përçartje skizoide, ka mbetur vetëm me Nard Ndokën

Tiranë, 15 Korrik NOA - Partia Demokratike reagoi para pak minutash mbi deklaratën e z.Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, i cili kritikoi vendimet e KRRTRSH për park industrial në Porto Romano dhe investime të tjera në vend.

"Sot Edi Rama në një përçartje skizoide u serviri shqiptarëve edhe një herë torbën e tij të turpshme të shpifjeve mashtrimeve e trillimeve elektorale dhe sulmeve personale familjare ndaj Kryeministrit, të gjitha këto vetëm e vetëm për të mbrojtur veten nga dorëheqja", - deklaroi zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli, në një dalje të posaçme për mediat.

"Duke mos dashur t'i përgjigjemi me të njëjtën monedhë z.Rama, I kujtojmë atij se njeriu i fundit në Shqipëri që mund të zërë në gojë familjen dhe familjarët është ai. Ai dhe para së gjithash ai, ndërsa sulmet e tij dëshmojnë ultësinë e tij shpirtërore dhe morale", - vijon deklarata.

"I themi z.Rama se koha është e shqiptarëve e atyre që votuan për projektin e Shqipërisë evropiane dhe e atyre që votuan projekte të tjera në këto zgjedhje", - thekson PD.

Kurse vlerëson se "sa i përket kërcënimeve e presioneve për mosnjohje të zgjedhjeve, i themi z.Rama, që ka mbetur me aleat të vetëm Nard Ndokën, se janë thjesht klithma të një humbësi që me imagjinatën e tij të sëmurë është në gjëndje të imagjinojë edhe skenarët më të kobshme vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij politike".

Për PD, të gjitha këto janë përpjekje të kota z.Rama që nuk e ndryshojnë dot votën e shqiptarëve.

e.l/NOA

Lexoni lajmin që solli reagimin: Edi Rama: Nuk i njohim vendimet e KRRTRSH për parqet energjetike

KOMENTE