English

Skandal, Leka Zogu uron Berishën si "Mbret i Shqiptarëve"

Tiranë, 15 Korrik NOA - Lajthitja e radhës nga ajo që nga Leka Zogu dhe i biri, me aq pasion quhet Mbretëria Shqiptare.

Leka Zogu ka uruar sot Kryeministrin Sali Berisha për fitoren e zgjedhjeve parlamentare.

Por nëse do të bëhej fjalë për një urim të një qytetari në Shqipëri ndaj kryeministrit, sikundër në të vërtetë është Leka Zogu, i biri i ish-mbretit Zog, nuk do të kishte asgjë të keqe.

Në fakt, skandali qëndron pikërisht në faktin se Leka Zogu, ka guxuar t'i drejtohet kryeministrit të vendit, sikur ta kishte vartësin e tij, sepse i ka bërë të qartë se po e uron jo Leka Zogu si një individ, por Leka Zogu, Mbret i Shqiptarëve.

Në këtë mënyrë, janë shkelur jo vetëm të gjitha rregullat protokollare por edhe ligji.

Dihet se Shqipëria, bazuar në Kushtetutë, është Republikë Parlamentare, ku organi më i lartë nuk është Mbreti, por Parlamenti dhe më tej, Presidenti e Kryeministri.

Të gjitha këto, janë shpërfillur nga qytetari Leka Zogu, i cili ka arritur të çajë çdo kufi ligjor dhe moral, duke arritur t'i dërgojë një titullari të shtetit, telegram, nën emërtesën e paligjshme "Mbret".

Më poshtë gjeni tekstin e plotë të telegramit:

"Fitorja kuaj në zgjedhje ishte një gëzim i madh për ne. Jemi të bindur se qeveria që ju drejtoni do të vazhdojë në rrugën e reformave, të cilat kanë sjellë një ndryshim të dukshëm në Shqipëri.

Atdheut tonë i duhet kontributi i të gjithëve, për këtë arsye ne ju përshëndesim për veprimin fisnik që keni ndërmarrë, duke bërë koalicion me LSI-në, të drejtuar nga z.Ilir Meta.

Ju urojmë suksese në punën tuaj, mbasi interesat e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve, janë përmbi çdo gjë.

Vëllazërisht Leka I Zogu Mbret i Shqiptarëve", përmbyllet telegrami i qytetarit Leka Zogu.

***

Leka Zogu është djali i ish-mbretit Ahmet Zogu, i cili mbretëroi në Shqipëri në vitet 1928-1939. më 7 prill 1939, Zogu ia dorëzoi Shqipërinë pushtuesve italianë dhe u arratis nga vendi së bashku me familjen dhe një pjesë të pasurisë së tij.

Zogu jetoi në Afrikën e Jugut dhe vende të tjera për shumë vite pa u kthyer ndonjëherë në Shqipëri, ku u shpall tradhtar i kombit dhe iu ndalua të vijë ndonjëherë.

Megjithatë pas viteve ‘90, figura e Zogut nisi të përballej me mendime pro dhe kundër.

Në vitin 1997, Leka Zogu erdhi në Shqipëri dhe kërkoi që të bëhej referendum ku shqiptarët të zgjidhnin nëse do të vazhdonin të jetonin në Republikë apo mbretëri.

Në referendum fitoi Republika Parlamentare me rezultat të thellë.

Ky rezultat nuk u pranua atëherë nga Leka Zogu. Me veshje ushtarake, i armatosur plot me armë dhe municion, në krye të disa njerëzve po ashtu të armatosur, të ashtuquajtur Oborri Mbretëror, iu sul më 2 korrik 1997, pak ditë pas zgjedhjeve dhe referendumit, Pallatit të Kongreseve me pikësynim selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Leka Zogu dhe shpura e tij u përballën me policinë e Shtetit. Në këtë ngjarje u shënua një i vrarë dhe disa të plagosur. Mediat atëherë raportuan se i vrari erdhi nga plumbat e "oborrtarëve".

e.l/NOA

KOMENTE