English

Studentët shqiptarë konkurrojnë në Programin e SHBA, Junior Achievement Albania

Tiranë, 15 Korrik NOA - Nëpërmjet një forme të simulimit art-biznes, studentët shqiptarë janë duke testuar aftësitë e tyre në drejtimin e një biznesi.

Junior Achievement Albania (JAA), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), organizuan dje, konkursin e parë kombëtar për programin JA Titan të JA Albania në Tiranë.

Programi u mbështet edhe nga 15 vullnetarë të komunitetit të biznesit në Shqipëri.

"Ne besojmë në potencialin e pafund të të rinjve shqiptarë" - tha përfaqësuesja e JA Albania, Xhevahire Hoxha.

"Programi JA Titan, - shtoi Hoxha, - ka ndihmuar studentët në zhvillimin e aftësive të tilla, si: të menduarit analitik, kuptimi i marrëdhënieve në jetën ekonomike, të mbajturit e përgjegjësisë për vendimet e ndërmarra, pjesëmarrje aktive dhe e përgjegjshme në ekonominë e tregut, të kuptuarit sa më mirë të ekonomisë dhe biznesit, si dhe qëndrimi pozitiv ndaj jetës".

Konkurruesit më të mirë nga universitetet shqiptare do të përpiqen të luajnë më së miri në nivelin e performancës së indeksit (PI).

Fituesi do të ketë nivelin e pikëve më të larta të PI bazuar në vendimet e marra mbi çmimin, prodhimin, investimin, marketingun, dhe kërkim/zhvillimin, si dhe kontributet e bamirësisë.

Fituesit e çmimit të parë, të dytë e të tretë do të marrin pjesë në Junior Achievement - Young Entreprise Europe (JA-YE Europe) Titan Challenge 2009 dhe Heëlett Packard Global Business Challenge JA Titan 2009.

Dizenjuar nga Junior Achievement Worldwide, ky program simulim kompjuteri i njeh studentët me vendimet kritike të ekonomisë dhe të menaxhimit që janë të nevojshme për të qenë konkurrues në ekonominë globale të ditëve të sotme.

Mbi 300 studentë nga Universiteti i Tiranës, i Shkodrës dhe i Elbasanit morën pjesë në zhvillimin e kompanive virtuale.

Rreth Junior Achievement Albania (JA Albania)

JA Albania është një organizatë e regjistruar si jofitimprurëse që operon si partner i JA-YE Europe dhe JA WorldwideTM.

JA Albania është një nga 114 anëtarët e organizatës së JA WorldwideTM në të gjithë botën dhe anëtar i Junior Achievement-Young Enterprise Europe (JA-YE Europe) me 40 organizata anëtare.

Misioni është që të frymëzojë dhe të përgatisë të rinjtë që të jenë të suksesshëm në një ekonomi botërore.

JA Albania zhvillon dhe zbaton programe që u mësojnë studentëve konceptet e rëndësishme të biznesit, të qytetarisë, të ekonomisë, të sipërmarrjes, të etikës, të edukimit financiar, të aftësive të lidhura me punën, si dhe për zhvillimin e karrierës.

JAA dhe partnerët e saj ndihmojnë në edukimin dhe frymëzimin e gjeneratës së re dhe gjithashtu të një publiku më të gjerë, që të kuptojnë dhe të vlerësojnë sipërmarrjen, biznesin dhe ekonominë e tregut.

e.l/NOA

KOMENTE