Tepelenë, 16 korrik, NOA - Pas një konflikti për motive të dobëta, në gjaknxehtësi e sipër, një baba ka tentuar të vrasë me armë zjarri djalin e tij, duke e lënë të plagosur dhe më pas është fshehur në pyll për t'i shpëtuar ndjekjes nga policia.
Burimet policore për agjencinë e Lajmeve NOA bëjnë me dijeni se ngjarja ka ndodhur në fshatin Nivicë të komunës Kurvelesh të Tepelenës, nga Demo Zana i cili ka qëlluar me armë zjarri djalin e tij Dritan, 26-vjeç.
Ai është transportuar menjëherë për në spitalin rajonal Gjirokastër dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq, i ati Demo pas kësaj ngjarjeje është larguar në drejtim të paditur , ku pas disa orësh është kapur nga forcat e policisë së Tepelenës i fshehur në pyll.
Më pas është sekuestruar edhe arma me të cilën kreu plagosjen, një armë zjarri automatike model 56, të cilën e kishte fshehur në afërsi të stanit.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Shtojë mbi fshatin Nivicë, pasi këta të dy ishin barinj dhe aty kishin stanin me bagëtitë e tyre.
n.e/NOA