Prishtinë, 16 Korrik NOA - Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës - Kryeministrit Thaçi për projektin "Kosova C/e Re" është një vendim që i dëmton rëndë interesat ekonomike të së tashmes dhe së ardhmes së Kosovës.
Kështu vlerësoi sot Lëvizja për Bashkim (LB), e cila kërkoi dhe dorëheqjen e Kryeministrit Hashim Thaçi, si një akt moral, informon bashkëpunëtori i agjencisë së lajmeve NOA në Prishtinë.
Sipas LB, pjesa më e hidhur, më e dëmshme dhe me efekte tepër negative edhe në zhvillimet e ardhshme politike të Kosovës dhe popullit të saj është pjesa e shitjes së pasurive nëntokësore të Kosovës.
Për LB, shitja po kryhet nën maskën e dhënies me koncesion. Dhënia me koncesion e minierës një miliardë tonëshe të thëngjillit për 40 vjet dhe shfrytëzimi i saj me kapacitet 2000 MW nuk është asgjë tjetër veçse shitje.
LB kujton faktin se pasuritë nëntokësore të një vendi janë pasuri kombëtare dhe ato nuk guxojnë t'iu shiten as pronarëve të huaj, as atyre vendorë dhe se ato duhet të mbeten pasuri kombëtare.
Sipas LB, edhe shfrytëzimi i tyre duhet të bëhet me një politikë ekonomike racionale të bazuar në parimin e zhvillimit të qëndrueshëm që merr parasysh çështjet ekonomike, sociale, mjedisore dhe mosshterimin e mundësive për brezat e ardhshëm.
Ndaj vendimi i djeshëm i qeverisë Thaçi vlerësohet se është në kundërshtim të plotë me këtë parim dhe rrjedhimisht në kundërshtim të plotë me nevojat e zhvillimit të Kosovës.
Sipas LB, ka shumë indikacione që tregojnë se vendimi për projektin "Kosova C/e Re" është marrë nën presionin e fuqishëm të një pjese të faktorit ndërkombëtar, presion të cilit nuk i rezistoi dot Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe në këtë mënyrë ai u bë bashkëpjesëmarrës në kusarinë dhe lakminë e korporatave të pangopshme ndërkombëtare ndaj pasurive të Kosovës.
"Vendimi i marrë për projektin "Kosova C/e Re" nuk është një vendim që është marrë me nguti dhe që mund të rishikohet nga Qeveria e Kosovës apo nga Kryeministri Thaçi. Ai ka ardhur si një rezultat i një presioni shumëvjeçar ndaj Kosovës, presion të cilit nuk i rezistoi dot Qeveria e Kosovës", - thuhet në qëndrimin e LB.
"Prandaj, - vijon deklarata, - Lëvizja për Bashkim kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe kabinetit të tij, si një akt moral".
Sipas LB, ky veprim i Kryeministrit Thaçi do t'iu hapte rrugë qytetarëve të Kosovës ta mbrojnë pasurinë e tyre kombëtare.
"Dhe zgjidhja për gjendjen e rëndë energjetike do të mund të gjendej shumë më në favor të së tashmes dhe së ardhmes së Kosovës", përfundon Lëvizja për Bashkim.
/a.k/a.b/NOA