Lezhë, 16 Korrik NOA - Regjistri i pronave të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Lezhës, (ZRPP), është rrëmbyer nga një grua e cila më pas u kap dhe tani ndiqet në gjendje të lirë, pasi pranoi ta dorëzojë vullnetarisht librin zyrtar.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së Enjtes dhe u denoncua nga punonjësi i ZRPP të Lezhës, Ylli Perndreca, 31 vjeç, lindur në Kashnjet dhe banues në Lezhë.
Ai i deklaroi policisë se 58-vjeçarja Valetina Nikaj, lindur në Korçë dhe banuese në Lezhë, i ka rrëmbyer atij regjistrin e këtij institucioni.
Menjëherë shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të saj dhe pas disa kohësh Valentina Nikaj e ka dorëzuar me dëshirën e saj regjistrin të padëmtuar.
Në lidhje me këtë ngjarje policia ka sekuestruar regjistrin dhe akuzon të dyshuarën Valentina Nikaj, për veprën penale të "Kundërshtim i punonjësve që kryejnë një detyrë shtetërore ose një shërbim publik", duke e hetuar atë në gjendje të lirë.
e.n/NOA