Ankara, 16 Korrik NOA - Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Turqi me ftesë të homologut të tij turk z. Mehmet Vecdi Gonul.
Ministrit Oketa iu bë një pritje e veçantë nga Ministri Gonul. Gjatë këtij takimi, dy ministrat e Mbrojtjes biseduan mbi zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dy palësh midis Shqipërisë dhe Turqisë, duke u fokusuar sidomos në fushën ushtarake.
Oketa, nënvizoi faktin se Turqia ka qenë vendi që ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në fushën e mbrojtjes për vendin tonë.
Në vijim Oketa vlerësoi zhvillimet e suksesshme të këtij bashkëpunimi, si dhe mbështetjen e dhënë nga pala turke në fushat e arsimimit dhe kualifikimit ushtarak, të shëndetësisë, mbështetjes logjistike etj.
Të dy ministrat diskutuan për misionet dhe trupat paqeruajtëse që shërbejnë në Afganistan dhe mbështetën idenë e vazhdimit të këtij misioni.
Gjithashtu ata shkëmbyen mendime për gjendjen e sigurisë në rajon e më gjerë. Duke vlerësuar praninë e dy vendeve në NATO, Oketa dhe Gonul theksuan se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes tashmë do të ketë etapa dhe zhvillime të reja.
***
Gjatë vizitës në Turqi, Ministri Oketa zhvilloi edhe një vizitë në Mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut dhe vendosi një kurorë mbi monumentin përkujtimor të tij.
Po kështu, gjatë ditëve të qëndrimit në Turqi z. Oketa u takua edhe me studentët shqiptarë që arsimohen në fushën e mjekësisë ushtarake në spitalin GATA në Ankara.
e.l/NOA