English

Pas Leka Zogut, edhe Berisha, i drejtohet me statusin Madhëria juaj

Burrel, 16 korrik NOA - Nuk paskan të mbaruar çuditë me termat protokollare në Shqipëri.Nëse një ditë më parë, Leka Zogu iu drejtua Berishës si ta kishte vartës, këtë çudi e ka thelluar edhe më shumë sot kryeministri në Burrel, kur iu drejtua me emërtesën "Madhëria juaj".

Deklaratat që kanë sjellë menjëherë reagime të qytetarëve që nuk e konsiderojnë Leka Zogun Madhëri dhe Mbret të Shqipërisë, pasi është një status i paligjshëm dhe ai thjeshtë vetëquhet si i tillë, erdhën sot në mesditë, kur Berisha mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së shtatores së Mbretit Ahmet Zogu, në sheshin kryesor të qytetit të Burrelit.

Berisha, i ftuar nderi në këtë ceremoni, zbuloi në mënyrë simbolike Shtatoren e nderit, së bashku me "Madhërinë e tij Leka Zogu i Parë".

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin "Madhëria e tij" (!) Leka Zogu i Parë dhe pjesëtarë të tjerë të "familjes mbretërore", deputetë të zonës, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.

Kryeministri vlerësoi se me këtë shtatore "vendoset në piedestalin që e meriton, njëri prej burrave të shquar të kombit shqiptar, arkitekti dhe themeluesi i shtetit modern të shqiptarëve, Mbreti Zogu i Parë".

Këtu, Berisha iu drejtua Leka Zogut me titullin Madhëri: "Madhëria juaj Leka Zogu i Parë, është një nder i madh, një kënaqësi e veçantë, që sot nisim festën e fitores, duke vendosur në piedestalin që e meriton njërin prej burrave të shquar të Kombit shqiptar, arkitektin dhe themeluesin e shtetit modern të shqiptarëve, Mbreti Zogu i Parë".

Më tej Berisha theksoi se "Vendosja e shtatores të Mbretit Zogu i Parë në këtë shesh është një nder i madh që ne i bëjmë mbarë kombit shqiptar", duke shtuar se sipas tij, "pavarësia u shpall në Vlorë, por shteti modern shqiptar nisi këtu në Mat, me burrin e madh të kombit Ahmet Zogun".

Nga ana e tij, i biri i Ahmet Zogut, Leka Zogu, duke u evidentuar sigurisht, si "Madhëria e tij", u shpreh se ndihej shumë i prekur dhe i nderuar që Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në këtë ceremoni.

Leka Zogu, ka vlerësuar se vendosja e Shtatores së Mbretit Ahmet Zogu në sheshin e qytetit të Burrelit, është një moment historik që i përket gjithë Shqipërisë, por veçanërisht Matit.

***

Leka Zogu është djali i ish-mbretit Ahmet Zogu, i cili mbretëroi në Shqipëri në vitet 1928-1939. më 7 prill 1939, Zogu ia dorëzoi Shqipërinë pushtuesve italianë dhe u arratis nga vendi së bashku me familjen dhe një pjesë të pasurisë së tij.

Zogu jetoi në Afrikën e Jugut dhe vende të tjera për shumë vite pa u kthyer ndonjëherë në Shqipëri, ku u shpall tradhtar i kombit dhe iu ndalua të vijë ndonjëherë.

Megjithatë pas viteve ‘90, figura e Zogut nisi të përballej me mendime pro dhe kundër.

Në vitin 1997, Leka Zogu erdhi në Shqipëri dhe kërkoi që të bëhej referendum ku shqiptarët të zgjidhnin nëse do të vazhdonin të jetonin në Republikë apo mbretëri.

Në referendum fitoi Republika Parlamentare me rezultat të thellë.

Ky rezultat nuk u pranua atëherë nga Leka Zogu. Me veshje ushtarake, i armatosur plot me armë dhe municion, në krye të disa njerëzve po ashtu të armatosur, të ashtuquajtur Oborri Mbretëror, iu sul më 2 korrik 1997, pak ditë pas zgjedhjeve dhe referendumit, Pallatit të Kongreseve me pikësynim selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Leka Zogu dhe shpura e tij u përballën me policinë e Shtetit. Në këtë ngjarje u shënua një i vrarë dhe disa të plagosur. Mediat atëherë raportuan se i vrari erdhi nga plumbat e "oborrtarëve".

***

Më poshtë, lexoni fjalën e plotë të Berishës:

"Madhëria juaj Leka Zogu i Parë,

Z. Kryetar i Bashkisë,

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Burrelit, por edhe të mbarë Shqipërisë.

Është një nder i madh, një kënaqësi e veçantë, që sot nisim festën e fitores, duke vendosur në piedestalin që e meriton njërin prej burrave të shquar të Kombit shqiptar, arkitektin dhe themeluesin e shtetit modern të shqiptarëve, Mbreti Zogu i Parë.

Vendosja e shtatores të Mbretit Zogu i Parë në këtë shesh është një nder i madh që ne i bëjmë mbarë kombit shqiptar. Pavarësia u shpall në Vlorë, shteti modern shqiptar nisi këtu në Mat, me burrin e madh të kombit Ahmet Zogun.

Mbreti Zogu i Parë do të hynte dhe kryesonte skenën politike shqiptare në kohërat më të vështira për vendin dhe kombin, në kohërat kur ishte vënë në pikëpyetje - edhe pas shpalljes së pavarësisë -, vet ekzistenca e Shqipërisë së pavarur dhe bëheshin përpjekjet më të përbindshme nga ata që copëtuan shqiptarët dhe Shqipërinë, për të shuar nga harta shtetin e tyre. Ahmet Zogu, me një mençuri të jashtëzakonshme, me kurajo dhe trimëri legjendare, me një vizion të pashoq, ia doli që, në trojet shqiptare të copëtuara, në një komb që numëronte vetëm pak vite nga themelimi i alfabetit të tij dhe që sapo kishte dalë nga sundimi shumëshekullor otoman, të ndërtonte shtetin e ri shqiptar, të standardeve monarkike të avancuara evropiane. Mbreti Zog, me përpjekje të mëdha, konsolidoi pavarësinë e Shqipërisë dhe bëri që të marrin fund përpjekjet për ndarjen e mëtejshme të saj. Si Mbreti i të gjithë shqiptarëve, së bashku me flamurin, ai u bë simboli më pamposhtur i idesë së bashkimit kombëtar, i shpresës së shqiptarëve, kudo që ndodheshin, për liri dhe dinjitet kombëtar. Mbreti vendosi në këtë vend, ligje dhe institucione më të përparuara të kohës, vuri Shqipërinë, që vinte nga një feudalizëm i thellë, në binarët e zhvillimit kapitalist. Fati i tij ishte fati i një seri oborresh monarkike të Europës, të cilat, për shkak të pushtimeve, do të detyroheshin që, nga mërgimi, të mbronin kauzën e drejtë të popullit dhe vendit të tyre.

Gjatë luftës, Mbreti Zog ia doli të organizojë rezistencën e shkëlqyer antinaziste, antifashiste, e cila u përfaqësua nga tribunë të vërtetë si Abaz Kupi dhe burra të tjerë të mëdhenj të kombit shqiptar, luftëtar të paepur të lirisë dhe dinjitetit kombëtar.

Por, pas luftës, ai do të ishte Mbreti i vetëm në Evropë që nuk do të lejohej të kthehej në vendin e tij. Armiqësia dhe qëndrimi ndaj Ahmet Zogut, ishte armiqësi ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve, armiqësi ndaj qenies së shqiptarëve, ishte diktat i Beogradit, ishte pjesë e komplotit dhe skenarit nga klika hoxhiste, për të bashkuar Shqipërinë me Ish Republikën Federative të Jugosllavisë. E vërteta është se ata që themeluan partinë komuniste shqiptare, si repart i partisë komuniste jugosllave, nuk synonin gjë tjetër, veçse shuarjen nga harta të Shqipërisë së pavarur. Por Mbreti qëndroi si vigan deri ditën që ndërroi jetë, në Paris, në miqësi dhe vlerësim të lartë nga Gjenerali Sharl De Gol, i cili vlerësonte kontributin e tij në rezistencën antinaziste, Mbreti nuk reshti së përpjekuri për të çliruar shqiptarët nga klika hoxhiste, për të çliruar shqiptarët kudo që ishin nga pushtimet barbare dhe mizoritë që përjetonin.

Sot ne nderojmë burrin e madh të Matit dhe të mbarë shqiptarëve me këtë shtatore. Unë kam bindjen se historia, me ritmet e jashtëzakonshme të Ahmet Zogut, do të nxjerrë në pah, do të ridimensionojë figurën e tij të madhe, kontributin e tij për shtetin modern të shqiptarëve dhe për konsolidimin e pavarësisë dhe zhvillimin e këtij vendi.

Madhëria Juaj, Leka Zogu i parë,

Ndihem shumë i nderuar që Ju jeni sot këtu dhe, së bashku, nderojmë Mbretin Zogu i Parë. Unë ju garantoj se qeveria ime, ushqen dhe do të ushqejë respektin dhe nderimin më të madh për veprën e pavdekshme të Ahmet Zogut".

e.l/NOA

Lexoni si dje Leka Zogu, iu drejtua Berishës si ta kishte vartës: Skandal, Leka Zogu uron Berishën si "Mbret i Shqiptarëve" Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore
KOMENTE