English

Pettersen: Liberalizimi i vizave, BE nuk duhej ta ndante Ballkanin

Ish-shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, pohon pas vendimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave vetëm me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, se do të ishte shumë më mirë sikur Ballkani Perëndimor të trajtohej si tërësi nga Brukseli në këtë proces. Jesen-Petersen tha se përjashtimi i disa vendeve të rajonit nga procesi i liberalizimit të vizave, nuk nënkupton izolim të tyre, por është kërkesë e Brukselit për një përparim më të madh që duhet të bëjnë drejt integrimeve evropiane edhe Kosova, Shqipëria dhe Bosnja.

Â

Z. Jessen-Petersen, si e vlerësoni vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me tri vendet e rajonit.

- Mendoj se do të ishte shumë më mirë sikur Brukseli të merrej me Ballkanin Perëndimor në tërësi, si rajon. Mendoj se përparimi dhe stabiliteti ndikojnë tek njëri-tjetri. Po ashtu, është fakt se liberalizimi i vizave është i ndërlidhur me përparimin në proceset e integrimeve evropiane dhe kjo mund të jetë arsyeja pse është paralajmëruar liberalizimi i vizave për këto tri vende. Lajm i mirë është se është dërguar një porosi e qartë për rajonin dhe vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, se përparimi i nevojshëm në procesin e integrimit, liberalizimi i vizave do t'u ofrohet edhe Kosovës dhe vendeve të tjera. Por do të ishte shumë më mirë sikur të trajtohej Ballkani Perëndimor si tërësi dhe si rajon. Po ashtu, kjo konfirmon, ndoshta në një formë të vogël, por shumë të rëndësishme, se i gjithë rajoni ka padyshim një të ardhme evropiane.

Â

Por zoti Solana, gjatë qëndrimit të tij në rajon, ka deklaruar se nuk ka më kushte shtesë për Serbinë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane…

- Nuk e di se çfarë saktësisht ka menduar ai. Por ashtu si e kuptoj unë, ka ende disa vende anëtare të BE-së, që kanë dilema për përparimin e vazhdueshëm të Serbisë, e që ndërlidhen me çështjen e Gjykatës së Hagës dhe çështje të tjera të hapura sikur është dorëzimi, posaçërisht, i Ratko Mladiçit. Nga ajo që kam parë dhe dëgjuar deri tani, Holanda dhe veçanërisht, Belgjika, nuk janë të kënaqura sepse nuk është bërë një përparim i duhur dhe nuk ka patur veprime të mjaftueshme të autoriteteve në Serbi që të ndikojnë tek këto vende për të hequr pengesat. Por më lejoni të nënvizojë se kjo mund të jetë kështu deri sot.

Â

Por më lejoni z.Jessen-Petersen, Kosova është pothuaj e përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave, deri tash. A mos është ky një lloj izolimi i Kosovës, marrë parasysh se edhe vendet e tjera janë më afër këtij procesi?

- Me sa e kuptoj, nuk është vetëm Kosova por liberalizimi i vizave nuk është bërë as në Bosnjë, as në Shqipëri dhe në këtë rast as në Kosovë. Nuk e di nëse do të ishte një lloj lehtësimi që ajo të mos mbetet e vetme, por nuk mendoj se Kosova është e izoluar dhe nuk besoj se ky është një sinjal se Kosova është e izoluar. Nga pikëpamja e Brukselit, kjo është një shenjë se ai ende beson se një përparim më i madh duhet të bëhet në plotësimin e disa kushteve të integrimeve evropiane në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë. Në rastin e Kosovës, të mos e harrojmë faktin se pavarësia e saj është vetëm 17 muaj e vjetër, ndërkaq që vendet e tjera kanë qenë në rrugën drejt Evropës për vite të tjera. Unë gjithmonë kam thënë se kosova shumë shpejt do t'u bashkohet vendeve të tjera për faktin se ajo tani punon shumë ngushtë me BE-në, falë pranisë së EULEX-it, por edhe për shkak të interesit të ngushtë në Kosovë dhe përkrahjes së Kosovës nga vende anëtare shumë të rëndësishme. Pra, Kosova është pak mbrapa për shkak se pavarësia e saj është e vonshme, por jam shumë i bindur se Kosova do t'i zë shpejt në saje të kujdesit të ngushtë dhe bashkëpunimit në shumë mënyra me BE-në.

Â

Ju keni qenë së voni në Kosovë. Çka më konkretisht mund të bëjnë kosovarët dhe institucionet e këtushme në këtë rrugë të integrimeve evropiane?

- Mendoj se disa mesazhe nga Brukseli kanë qenë të qarta se një nga fushat kyçe është rendi dhe ligji dhe ndërlidhur me këtë është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është diçka që Brukseli po e përcjellë me interesim ose shqetësim të posaçëm, për shkak të problemeve që ka patur me Bullgarinë e Rumaninë. Prandaj mendoj se në fushën e rendit dhe ligjit një përparim i rëndësishëm duhet të bëhet edhe në Kosovë dhe porositë nga Brukseli kanë qenë shumë të qarta. Mendoj se edhe çështjet e tjera janë shumë të rëndësishme por më e rëndësishmja është përkushtimi i vërtetë për të adresuar korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse do të vazhdojnë të jenë kriteret kryesore për Bruskelin.

Â

A nënkupton ky liberalizim i vizave për Serbinë një lloj përpjekje për të relaksuar marrëdhëniet e saj me Kosovën?

- Unë e kam shfaqur pikëpamjen time më heret dhe po e bëj sërish. Shpresoj se porositë e Brukselit për Serbinë janë të qarta. Dhe ato thonë: Po, ne në Bruksel e duam Serbinë, pra BE-ja do që Serbia të ecë drejt integrimeve të ngushta evropiane, por nuk mundet që në të njëjtën kohë të vazhdojnë të vendosin pengesa në rrugën e suksesit të misionit evropian në Kosovë dhe në veçanti të EULEX-it. Nuk mund që njëkohësisht të ftoheni që të troksni në derë dhe të komplikoni jetën brenda shtëpisë. Unë shpresoj se ky mesazh do të mbetet i qëndrueshëm, sepse mendoj se është është e pakuptimtë që në një anë EULEX-i të përballet me probleme, duke mos marrë gjithë bashkëpunimin me Beogradin, ashtu siç e kuptoj unë, dhe nga ana tjetër të pretendohet se asgjë nuk po ndodh dhe të ftohet Serbia që t'i bashkohet grupimit. Nuk mund t'i kenë të dyjat rrugët dhe e kam parë se janë disa vende anëtare që e kanë bërë këtë të qartë dhe shpresoj se ky do të jetë qëndrimi. Në anën tjetër mendoj se të gjithë duam që Serbia të jetë pjesë e BE-së, sepse kjo do të nënkuptonte se Serbia po shikon përpara, se ajo po kërkon paqe për vetveten dhe për fqinjët e saj.

BBC

KOMENTE