Ishte premtuar se targat e reja të automjeteve me shkurtesën RKS, do të lëshohen në vjeshtën e vitit të kaluar. Pastaj se kjo do të ndodhë në qershor të këtij viti. Asnjërin premtim, Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka mbajtur. Tash nuk dihet nëse këto targa do të lëshohen këtë vit. Zyrtarët arsyetohen se problemet janë teknike dhe jo politike
Nga Jeton Musliu
Plot një vit më parë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme deklaronin se fillimi i lëshimit të targave të reja të automjeteve, është çështje javësh. Ata premtonin se menjëherë pas lëshimit të dokumenteve të reja identifikuese si letërnjoftimet dhe pasaportat, do të fillohet me dhënien e targave. Mosmbajtja e premtimit të parë u arsyetua në shkurt të këtij viti. Zyrtarët e MPB-së thanë se vonesat janë pasojë e mospërcaktimit të kodit për targat e reja. Ata premtuan se kjo do të ndodhë në qershor të këtij viti. "Në targat e reja të automjeteve do të përdorët kodi ‘RKS' (Republika e Kosovës). Për përdorimin e këtij kodi është njoftuar edhe mekanizmi ndërkombëtar përgjegjës me seli në Gjenevë, ku është kuptuar se ky kod është i lirë dhe nuk përdoret nga asnjë shtet tjetër", ishte shprehur Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë i ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Por tash jemi në muajin korrik dhe targat e reja me shkurtesën ‘RKS', jo vetëm që nuk kanë filluar të lëshohen, por vështirë se kjo do të ndodhë këtë vit. Pavarësisht se kjo ministri ka dizenjuar edhe tri variantet e mundshme se si do të duken targat e reja, ky proces nuk ka dalë të jetë edhe aq i thjeshtë. Sa i përket aspektit politik, zyrtarë të këtij dikasteri sqarojnë se gjithçka është gati, por problem ka dalë të jetë ana teknike. Para një viti, targat e reja me parashtesën RKS (Republika e Kosovës), jozyrtarisht ishte premtuar se do të shihen në automjetet e kosovarëve, duke filluar nga gjysma e dytë e muajit shtator. Modelet se si do të duken këto targa, jo vetëm që kanë përfunduar, por Express ka arritur edhe t'i publikojë ato. Pritej që me lëshimin e këtyre targave me dukje tërësisht të re, paralelisht të ndërpritej edhe qarkullimi i automjeteve me simbole të para vitit 1999, të cilat i përdorin kryesisht qytetarët serbë. "Janë duke u bërë përgatitjet teknike dhe koha kur do të fillohet lëshimi i targave të reja, varet nga ekspertët dhe jo nga niveli politik", thotë Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë i ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Por në këtë çështje është i përfshirë edhe vetë ministri Zenun Pajaziti, i cili ka themeluar një grup punues, i drejtuar nga vetë ai. Përveç tij, ky grup përbëhej edhe nga drejtues të lartë të Njësisë së Policisë së Trafikut. I tërë problemi në këtë vonesë, sipas zyrtarëve të MPB-së, është finalizimi i një sistemi online, i cili do të përdoret për regjistrimin e veturave. "Na ka vonuar shumë finalizimi i këtij sistemi, prandaj nuk mund të japim ndonjë kohë të saktë se kur do të fillohet më lëshimin e targave", sqaron këshilltari Rexhepi për "Express". Megjithëkëtë, ende tash për tash nuk dihet se për cilin nga tri variantet e tabelave është vendosur dhe as kur këto targa do të shihen në vendosura në automjete. Variantet e targave 1- Në targë të jetë e vendosur stema e shtetit, e pasuar me shkurtesat e emrave të qyteteve dhe menjëherë pas dy shkronjave, të vendoset numri katërshifror i veturës. 2- Në targën e veturës të shënohen vetëm shkronjat RKS, pastaj numrat e veturës, katërshifror, që do të pasohet me shkurtesat e qyteteve përkatëse. 3-Targa ta ketë stemën e shtetit. Në vend të shkurtesës së emrit të qytetit përkatës, secila komunë të ketë numrin e koduar, ku në targë të vendoset edhe ai numër-kod dyshifror. Krejt në fund, tabela të përfundojë me numrin katërshifror.Â