Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 17 Korrik NOA - Deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, dhënë në një nga mediat e huaja, në të cilën vlerëson si të nevojshme një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, vlerësohet si realiste dhe në kohën e duhur.
Ky qëndrim vjen në një moment, pas zgjedhorë, kur financat publike po kërcënohen nga efektet e krizës ekonomike.
Ky është mendimi i ish-ministrit socialist të Ekonomisë Anastas Angjeli, i cili tha sot se qeveria në muajt në vazhdim do të jetë e detyruar të negociojë një marrëveshje të re.
"Bëhet fjalë për marrëveshje me kushte të reja, jo më shtrënguese por me liberale, që t'i përshtatet situatës aktuale ku ekonomia është e prekur nga efektet e krizës", - thotë Angjeli.
Sipas tij, çdo qeveri që do të jetë në pushtet, në fillim të vitit 2010 do të jetë e detyruar që të lidhë një marrëveshje të re.
Në 6 muajt e parë të vitit, qeveria bëri shpenzime të mëdha për efekt të zgjedhjeve parlamentare, ndërkohë që të ardhurat nuk u mblodhën në nivelin e programuar, duke rritur në këtë mënyrë ndjeshëm defiçitin buxhetor.
Një situatë e tillë nuk do të ishte toleruar nga FMN, ndaj prezenca e saj, - sipas Angjelit do të garantonte stabilitetin makroekonomik.
"Nuk ka pse qeveria të marrë kredi tregtare duke paguar norma të larta interesi, në një kohë që FMN ka ndihmuar vende të ndryshme, për shkak të krizës duke dhënë kredi me terma të butë", - thotë Angjeli.
Në një situatë afatgjatë, - vijon ai, - pagesa e interesave do të vështirësojë objektivat buxhetorë.
Situata aktuale buxhetore jep indikacione, se qeverisë i duhet të bëjë ndryshimet e nevojshme në buxhet duke mbushur gropat financiare të krijuara nga shpenzimet e mëdha dhe nga mos mbledhja e taksave.
Ky ndryshim duket se do të jetë një nga vendimet e para që do të marrë parlamenti i ri që dominohet nga PD në koalicion me LSI duke pasur 74 deputetët dhe PS që ka 66 të tjerët.
/r.l/e.l/NOA/
Lexoni deklarimet e Fullanit: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kundër Qeverisë: Duhet bashkëpunim me FMN
Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore