E kush mbeti jashtë? Çuditërisht vendet që në hartën religjozë shënohen me të gjelbër. Kjo mund të jetë evropiane, por jo zhvilluese, mund të jetë politike po jo demokratike, kjo mund të jetë gjithçka në emër të futurizmit që sheh luftrat dhe shfarosjet si rivendosës të ekuilibrave dhe shpërlarje të njerëzimit, por jo predikuese në altarin e lirisë
Nga Albert Vataj
Kurrqysh nuk munet që me një anipse, të strukena në guskën që na e dhanë për lëkurë, e të pranojmë si të beftë atë që tash rrezitet në tryezat e politikës evropian, dasia. Deriçka e gjysëmhapur e Evropës asht një pohim plot solemnitet e madhështi e "bujarisë" që tuj tu ofru të ka përfundë.
Përjashtimi, kjo rrufe në qiell të kthjellët, mund dhe mbase nuk ishte e tillë për Shqipërinë, e cila politikisht dhe diplomatikisht nuk qasej përnga pritshmëri të tjera, por për Myslimanët e Bosnjës, ishte më shumë se kaq.
Nuk dua të besoj kontestin religjioz që yshti Evropën përnga dasitë ballkanike, të pranimit dhe refuzimit që mund të ketë në vetvete vendimmarrja politike e zyrtarëve për liberalizimin e vizave.
Tipikë e kësaj droje që ngadhënjen, është ajo që la të nënkuptohet me Bosnjwn. Gjoja konfliktet ndëretnike kanë zbythur lejekalimi për këtë popull martir. Ndërkohë që ajo bart mbi vete një yshtje edhe më dashakeqe të Evropës, e cila pranon një palë dhe lë tjetrën të presë.
Me fjalë të tjera, vrasësit i vë një brerore Hyu (e meriton apo jo Serbia për gjithçka bërë) dhe viktimën e anatemon, e rivret, e masakron, e çvarros dhe rivarros në gropa masive. Kjo anatemë qaset të na shpërfaq kjartazi në sytë e atyne që shohin, një lojë që kallet teksa luhet.
E kush mbeti jashtë? Çuditërisht vendet që në hartën religjozë shënohen me të gjelbër. Kjo mund të jetë evropiane, por jo zhvilluese, mund të jetë politike po jo demokratike, kjo mund të jetë gjithçka në emër të futurizmit që sheh luftrat dhe shfarosjet si rivendosës të ekuilibrave dhe shpërlarje të njerëzimit, por jo predikuese në altarin e lirisë.
Ata që shpikën bashkëjetesën e viktimës me viktimatorin, ata munden të ndajnë dhe njëherazi të lënë hendeqe interpretimi, që ky vendim të fshikullohet fort. Siç reflektoi njëherash për rastin e Bosnje-Hercegovinës, kur myslimanët qëllimshëm lihen të presin.
Lirinë dhe autonominë u deshën ta paguanin me gjak, sikurse dhe kosovarët, e tash duhet të paguajnë (një Zot e di se me çfarë) lojën e ideologëve të politikës së BE, që ata të ndjehen evropian brenda Evropës.
Komisioni Evropian planifikon të aprovojë propozimin, me të cilin qytetarëve të Serbisë, Maqedonisë dhe Mali të Zi do t'iu lejohet udhëtimi pa viza në BE, nga fillimviti i ardhshëm.
Deri në këtë cak gjithseçka ka një pamje të ravijëzuar mirë. Këndejembas mund të gjejë gjuhë politike për t'u justifikuar. Madje një të tillë që mundëson tejkalimin e vetes.
Kujtojmë këtu qëndrimin evropiane për të qenë e vendosur ndaj Beogradit, i cili duhet të dorëzojë kriminelët e luftës në Gjykatën e Hagës, paskëndej do të trajtohet ambicia evropiane e Serbisë.
Politikisht kontesti i vetvetes, nuk se i lë kokat evropiane të bluajnë në mokrën e të tashmes, të shkuarën.
E qurravit në të drejtën e lirisë dhe demokracisë, ndoshta ngase bishtkrehjet ortodokse e joshin më me pasion në amështrin e ambicieve të vocrra interesash dhe anësishë të qëllimshme.
Nëse Shqipëria nuk kishte përmbushur kriteret e kësaj ftese për gostinë evropiane dhe ju la gjysmëviti i 2010-ës që kjo të rishikohej, pse Bosnja duhet ta gjente veten ngadhnjyeshëm në këtë pritani.
Standardi, ky term shumë i diskutueshëm dhe konfliktual edhe në planin etimologjik, duket se i ngjan më shumë një justifikimi, një motivimi për të të mbajtur ende nën thundrën e padrejtësive që vetë Evropa stisi në emër të hegjemonisë për fatet e mëdha të popujve të vegjël, se sa njw maturi.
A u duhet kujtuar me këtë rast, se ku janë liritë dhe të drejtat e njeriut, kësaj popullate qw krekoset pas shugurimeve mediatike, megjithëse Josep Ramoneda, konkludon se pasionet politike evropiane kanë përligjur Aushvicin dhe gulagun, luftrat shfarosëse dhe spastrimet etnike.
Sakaq në e prekim këtë. Kundrojmë përplot me helm teksa lirinë, doktrinarët e gjymtojnë.
"Aksioni i padrejtë i propozuar vetëm sa do t'i formalizojë ndarjet etnike, do të shpërblejë taktikën e obstruimit të politikanëve nacionalistë dhe do të thellojë pakënaqësitë në rajon"- do të precizonte Daniel Cohn-Bendit, njëri prej kryetarëve të të Gjelbërve në Parlamenti Evropian.
Ai shkon më tej, duke e cilësuar rastin e Bosnjës si dyfytyrësi dhe jomorale që t'i ndalohet diçka njërës pjesë të popullatës boshnjake.
Po kaq i drejtpërdrejtë ka qenë dhe kryediplomati i Bosnje-Hercegovinës, Sven Alkalaj, që sipas tij, një regjim i tillë i vizave, do të mund të krijojë një geto për myslimanët e Bosnjës.
Ditorja më e lexuar boshnjake, ‘Dnevni Avaz', publikoi se BE dërgoi një porosi të rrezikshme shpërblimi për Serbinë, gjegjësisht për vendin që edhe sot e kësaj dite i mbron kriminelët e luftës.
"Kjo pra do të thotë se Bashkimi Evropian (me ndonjë përjashtim të ndershëm) kurrë nuk ka qenë i interesuar për dënimin e krimeve të luftës të kryera në Bosnje dhe në Ballkan? Si u bë që sistemi juridik, i cili mbron kriminelët më mizor të luftës, të jetë i mirë sa duhet për BE, ndërkaq Bosnja jo?" pyeste Alkalaj.
Nëse BE e sheh krijimin e regjimit të vizave dhe anëtarësimin eventual në gjirin e saj, si një mjet për krijimin e një stabiliteti afatgjatë në Ballkan, vendimmarrje të tilla, anësia, dasia me prapavijë religjioze ose jo, shpërfaq dukshëm një minim të kësaj ambicie.
Në këto kushte do të ishte pak e rëndësishme, se kur dhe si do të përfitojnë vendet pritëse. "Inteligjenca e evropës ka një funksion të veçantë: ndan dhe përçan", shkruan Alberto Saviano. Edhe kur nuk vepron "vullnetshëm", vijon Saviano, Evropa vazhdon gjithpoaq, nga një shtysë e natyrshme, të ndajë dhe të veçojë...".