English

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kundër Qeverisë: Duhet bashkëpunim me FMN

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 17 Korrik NOA - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka dalë kundër qëndrimit të qeverisë shqiptare e cila ka ndërprerë marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në një intervistë për Dow Jones Newswire, e publikuar edhe në gazetën prestigjioze "Wall Street Journal", guvernatori Ardian Fullani thekson se një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të ishte e dobishme për politikat ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht se vendi nuk përjeton kufizime të likuiditetit dhe aktualisht nuk kërkon fonde emergjente.

Ndryshe nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili ndërpreu marrëdhëniet kontraktuale në fund të vitit 2008, Fullani tha se ky bashkëpunim me FMN do të krijonte një plan optimist afatgjatë për situatën ekonomike në vend.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka pranuar se kriza ekonomike globale ka pasur impaktin e saj edhe në Shqipëri.

Fullani vëren një trend në ulje të eksporteve sidomos drejt Italisë, që ndikon drejtpërsëdrejti në ekonominë e vendit.

Sipas parashikimeve të FMN, Shqipëria është një ndër vendet më pak të prekura në rajon nga kriza ekonomike.

Në raportet e saj theksohet se brenda vitit 2009 pritet një rritje prej 0.4 për qind shumë larg parashikimeve të qeverisë për një rritje te miratuar në buxhet prej 6 për qind.

/r.l/e.l/NOA/

Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore

KOMENTE