English

Mallkimi i stabilitetit

Kosova është nën protektorat ndërkombëtar, mirëpo, që të mbrohen ndërkombëtarët. Dhe, jo çfarëdo ndërkombëtarësh, por ata që përbëjnë pushtetin në Kosovë dhe interesat e politikave e korporatave të huaja që përfaqësojnë. Protektorati ndërkombëtar është mbrojtje për ndërkombëtarët që protektojnë

Nga Albin Kurti

Zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007 u patën mbajtur për dy arsye kryesore. E para, meqë shpallja e pavarësisë po shtyhej për vitin 2008, duheshin zëvendësuar protestat e demonstratat me karnavalet e fushatës parazgjedhore. Dhe, e dyta, meqë po përfundonte mandati i Ekipit të Unitetit që banonte në avionin e linjës Prishtinë-Vjenë, duhej sjellë në pushtet koalicioni i madh PDK-LDK si zëvendësim për të. Një vit pas shpalljes së pavarësisë, u shtynë zgjedhjet parlamentare për kohë të pacaktuar, përsëri për dy arsye kryesore. E para, meqë besohet se për t'i zëvendësuar protestat e demonstratat me karnavalet e fushatës parazgjedhore mjaftojnë këto zgjedhjet lokale (të cilat njëherazi e zbatojnë decentralizimin). Dhe, e dyta, meqë tashmë e kanë koalicionin e madh qeverisës PDK-LDK, konsiderojnë që nuk kanë nevojë për zgjedhje sepse e kanë zgjedhjen e duhur. Pavarësia e shpallur e vendit është dashur t'i rrisë mundësitë e zgjedhjeve të qytetarëve për pushtetin qendror, porse ka ndodhur e kundërta. Kur s'kishim pavarësi, kishim zgjedhje. Tash, që u shpallëm të pavarur, s'kemi zgjedhje. Menaxhimi i këtillë me zgjedhjet në Kosovë nuk vjen nga një njeri i veçantë në Bruksel, Washington a New York. Madje, as nga ndonjë grup specifik e i konsoliduar politikanësh a diplomatësh perëndimorë. Strukturimi dhe organizimi i jetës politike institucionale në Kosovë është i përcaktuar nga mirëmbajtja e paradigmës së stabilitetit. Ashtu sikurse që institucionet financiare ndërkombëtare duan stabilitet makroekonomik të Kosovës, institucionet politike ndërkombëtare duan stabilitet politik të Kosovës. Kaq. Zhvillimi politik, ekonomik dhe shoqëror i Kosovës, sipas tyre, pret. Arsyeja pse Fatmir Sejdiut, Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit ndërkombëtarët u dhanë leje ta shpallin pavarësinë me 17 shkurt 2008 është krejt tjetër prej arsyes pse qytetarët e Kosovës e duan pavarësinë. Ndërkombëtarët e lejuan shpalljen e pavarësisë vetëm për ta evituar destabilizimin e Kosovës. Qytetarët e donin pavarësinë sidomos për ta mundësuar zhvillimin e Kosovës. Sëkëndejmi, këtë pavarësi nuk e kemi si rezultat i aftësive të politikanëve tonë, por si rezultat i potencialit destabilizues të popullit tonë. Që prej përfundimit të luftës në Kosovë nuk ka pasur opozitë të vërtetë parlamentare. Dominimi ndërkombëtar ka inkurajuar krijimin e sa më shumë partive të reja politike, dmth. copëzimin e politikës vendore dhe, mandej, bashkimin e tyre përfundi sundimit ndërkombëtar. Pra, individualizim dhe totalizim, mu ashtu siç kishte shkruar Michel Foucault. Qeveria e parë ishte fëmijë i PSSP-së së atëhershëm, Michael Steiner: bashkëqeverisje e tri partive kryesore. Qeveria e dytë ishte fëmijë i PSSP-së tjetër, Soren Jessen Petersen: koalicion ndërmjet LDK-së e AAK-së që kur vinte në krizë ndërronte kryeministrin. Mirëpo, as atëherë realisht nuk kishte opozitë. Kjo qeveri ishte nën hijen e Ekipit të Unitetit që bënte pazare me Serbinë për territorin, kulturën, forcat e (pa)armatosura dhe rregullimin institucional të Kosovës. Qeveria e tretë, kjo e tanishmja, është fëmijë i ish ambasadores amerikane, Tina Kaidanow: një tjetër Ekip i Unitetit brenda së cilit praktikisht ndodhet edhe partia më e madhe opozitare, AKR-ja. Mbi të gjitha, partitë opozitare të kësaj dekade asnjëherë nuk kanë dalluar në diçka thelbësore prej pozitës. Fjala kryesore e politikës në Kosovën e pasluftës ka qenë konsensusi, jo opozita. Paradigma e zhvillimit do ta kërkonte opozitën e fuqishme, kontradiktat që shpijnë përpara. Paradigma e stabilitetit e kërkon konsensusin, pajtimin gjithëpërfshirës që e ruan gjendjen ekzistuese. Krerëve institucionalë e partiakë vendorë sigurisht se iu ka konvenuar kjo gjendje. Pasuria e tyre nuk vjen prej pagave që marrin sado të larta qofshin ato. Politikanët e Kosovës janë pasuruar në Kosovën e varfër e të pazhvilluar, në Kosovën e paradigmës së stabilitetit. Ata s'kanë interes që ta zhvillojnë e përparojnë Kosovën. Edhe burokratët më të rinj ndërkombëtarë (ICO-ja dhe EULEX-i) vazhdojnë t'i tolerojnë politikanët e Kosovës të vjedhin, sepse ata nuk po i vjedhin ndërkombëtarët, por neve qytetarët e Kosovës. Në këtë mënyrë, ndërkombëtarët po i bëjnë krerët e Kosovës të dobët politikisht dhe të pasur privatisht, meqë pikërisht kësisoj e maksimalizojnë servilitetin ndaj tyre. Zaten, kështu është kur je nën protektorat ndërkombëtar. E, protektorati është kontroll. Na ‘mbrojnë' për të na kontrolluar, për të na mbajtur të disiplinuar, për të qenë ashtu siç u hyjmë në punë atyre. Ndërkombëtarët na mbajnë nën protektorat sepse populli ynë s'është i parashikueshëm sikurse politikanët që janë super të kontrolluar e të kontrollueshëm. Ndërkombëtarët na ‘mbrojnë' për t'u mbrojtur prej nesh. Në anglisht, fjala ‘protection', si rrënjë e shprehjes ‘protektorat', do të thotë mbrojtje. Kosova është nën protektorat ndërkombëtar, mirëpo, që të mbrohen ndërkombëtarët. Dhe, jo çfarëdo ndërkombëtarësh, por ata që përbëjnë pushtetin në Kosovë dhe interesat e politikave e korporatave të huaja që përfaqësojnë. Protektorati ndërkombëtar është mbrojtje për ndërkombëtarët që protektojnë. Mbase, së paku në këtë aspekt, ne jemi para shumë popujve të tjerë. Besojnë që s'kanë arritur të na dresojnë ashtu siç e kanë planifikuar. Prandaj, do të vazhdojnë të na "mbrojnë".

KOMENTE