Ekskluzive, nga bashkëpunëtori i agjencisë NOA
Kalamatë, 17 Korrik NOA - Një grua e re, emigrante shqiptare, është bërë objekt i terrorit psikologjik për muaj të tërë dhe në orët e para të ditës së sotme i ka shpëtuar përdhunimit nga një polic grek 42-vjeçar, i cili pasi u përlesh me të shoqin, tani gjendet në spital.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se ngjarja ka ndodhur në orën 04.30 të ditës së sotme në Petalidi, qytet i rajonit Kalamatë në Greqi.
Prokuroria rajonale ka urdhëruar arrestin në kushte spitalore, për policin 42-vjeçar që sulmoi banesën e çiftit shqiptar me synimin për të shuar epshet seksuale me nusen e re.
Nga hetimi i kryer prej policisë së Kalamatës, u zbardh se ngjarja kishte pikënisje prej disa muajsh.
Polici 42-vjeçar, emri i të cilit nuk u publikua, kryente shërbimin në Petalidi dhe atje, kishte pikasur një 24-vjeçare shqiptare.
Edhe pse e dinte fare mirë se ajo ishte e martuar dhe jetonte me të shoqin, 42-vjeçari polic, e ngacmonte atë sa herë që të mundte, duke i demonstruar se ishte i dashuruar me të.
Duke mos i mjaftuar ta shihte dhe ta ngacmonte kur hynte apo dilte në shtëpi, muajin e fundit, 42-vjeçari shkonte në restorantin ku gruaja e re, nënë e dy fëmijëve, punonte dhe qëndronte atje, me justifikimin se darkonte.
Sipas dëshmive që policia mblodhi pas ngjarjes, kolegu i tyre e ngacmonte të renë edhe në restorant.
Por prej saj kishte marrë një përgjigje të prerë, në mënyrë të përsëritur.
"Gruaja 24 vjeçare i kishte bërë të qartë punonjësit të policisë së rendit se duhet t'i rrinte larg dhe të mos e ngacmonte, duke i kujtuar edhe faktin se ishte lumturisht e martuar dhe nënë e dy fëmijëve të vegjël", - tregoi policia e cila theksoi faktin se "viktima e ngacmimeve i qëndroi shumë kritike problemeve që i hapte polici 42-vjeçar".
Megjithatë, 42-vjeçari ka vepruar si një maniak i mirëfilltë gjatë gjithë këtyre tre javëve të fundit, duke mos iu ndarë asnjë natë nga prania në restorantin që shihni në foton qendrore.
Natën duke gdhirë dita e sotme (e Premte), 42-vjeçari, si zakonisht tashmë, ka shkuar sërish në orët e mbrëmjes në restorant, "për të darkuar", ka qëndruar nja dy orë dhe është larguar.
Por jo për të kaluar natën me gruan dhe familjen e tij, por për t'i zënë pritë 24-vjeçares.
Duke qenë se ishte polic i zonës, 42-vjeçari i njihte mirë lëvizjet e banorëve dhe përderisa ngacmonte shpesh 24-vjeçaren, vëzhgonte dhe lëvizjet e bashkëshortit të saj 28 vjeçar", thanë pjesëtarët e grupit hetimor.
Në orën 04.30, duke parë se makina e 28-vjeçarit shqiptar nuk gjendej e parkuar pranë shtëpisë ku ata qëndronin me qera, ka parkuar makinën e vet që e shihni në foto, pikërisht në afërsi të banesës dhe ka nisur planin djallëzor.
"Punonjësi i policisë, ishte në orarin e shërbimit, i armatosur dhe me uniformën zyrtare të policisë, kur theu dritaren e pasme të banesës së çiftit emigrant dhe hyri në dhomën e gjumit, në përpjekje për të abuzuar seksualisht me 24-vjeçaren", saktësoi policia e Kalamatës, e cila theksoi se nuk i justifikonte veprimet e kolegut të tyre tashmë të pezulluar.
Por sapo ka hyrë në dhomën ku kishte menduar se do të gjente vetëm të renë, është shtangur kur në shtrat ka dalluar se gjendej në gjumë edhe i shoqi.
Këtu, ka nisur përleshja mes dy burrave. Si pasojë e përdorimit të forcës fizike por jo armëve, 42-vjeçari ka marrë plagë të shumta në trup dhe në kokë, por i lënduar ka mbetur dhe emigranti 28-vjeçar.
Burrë e grua, kanë lidhur me prangat që kishte në brez, 42-vjeçarin dhe kanë njoftuar policinë, duke i kërkuar të marrë kolegun e tyre abuziv. "Çifti i emigrantëve, me leje të rregullta qëndrimi në Greqi, vendosën kushtin që kolegët e 42-vjeçarit të shoqëroheshin nga një prokuror dhe kjo u pranua", konfirmoi policia.
Në pak minuta, një grup policësh dhe një prokuror i Prokurorisë së Kalamatës, kanë mbërritur në vendngjarje.
Ata kanë gjetur 42-vjeçarin të përgjakur në dyshemenë e shtëpisë dhe e kanë dërguar në spitalin shtetëror të Kalamatës që ju shihni në foto, ku edhe ndodhet, për momentin, pa rrezik për jetën.
/n.s/k.k/NOA/
Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore