English

Vret për motive të dobëta, arrestohet 22- veçari

Tiranë, 17 korrik, NOA - Eshtë kryer sot në orët e para të ditës arrestimi i Donald Gëzim Pregapuca 22- vjeç, lindur në rrethin e Përmetit dhe banues në Tiranë.

Arrestimi i tij është kryer nga Seksioni i Luftës Kundër Jetës dhe Shëndetit pasi dje në mesditë, rreth orës 15.30, në zonën e Laprakës, në ambjentet e një dyqani që shërbente për pjesë këmbimi të automjeteve, dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë zjarri, 23-vjeçarin Edvil Edmond Koço, banues në Tiranë.

Megjithëse i plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, nuk ka mundur të mbijetojë, si pasojë e plagëve të marra në kokë.

Policia duke folur per krimin, tha sot se në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor i formuar u kryen të gjitha veprimet hetimore e proçeduriale si dhe u administruan të gjitha provat.

Po ashtu në sajë të hetimeve të kryera nga specialistë të këtij seksioni, ka rezultuar se në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qënë i pranishëm dhe Arben Basha, 25 vjeç, i cili ka marrë armën e kryerjes së krimit, e më pas është larguar.

Mësohet se nga të gjitha strukturat e hetimit të krimit po punohet intensivisht për kapjen e tij, tashmë të identifikuar, kurse materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

el/NOA

KOMENTE