Tiranë, 18 korrik NOA-Nga kontrolli blic i këtyre ditëve në kazinotë më të njohura të Tiranës është zbuluar se organizatorët e tyre vjedhin paratë e lojtarëve duke përdorur makina jashtë standardit.
Aksioni i Njësisë për Mbikqyrjen e Lojërave të fatit vërejti se në Shoqëritë, Regency Kazino, sh.a, Rozafa Palace, Fito sh.a, Simban sh.a Tirana Elektronik, Everest, Xhoi co 21, etj, ekzistojnë lojra elektronike të cilat nuk plotësojnë standartet e kërkuara nga ligji.
"Këto makina lejojnë që organizatorët e lojrave të fatit të nxjerrin fitime abuzive në kurriz të lojtarëve apo klientëve.
Sipas ligjit për lojrat e fatit, jo më pak se 50 përqind e xhiros duhet të perfitohet nga lojtaret, kurse makinat jashtë standarteve lejojnë organizatorët e lojrave të fatit që të përcaktojnë vetë marzhe shumë të ulëta të fitimit", thuhet në deklaratë.
Në tre ditët e fundit të aksionit nëpër kazinotë e Tiranës, u konfiskuan 125 aparate të cilat nuk i plotësonin standartet, 45 prej të cilave në shoqëri të licencuara për ushtrim aktiviteti lojra fati, si Fito sh.a Intertronik, Everest sh.a Xhoi co 21, Rozafa Palace. Rreth 75 lojra elektronike u konfiskuan në ambjentet e Regency Kazino.
Ndërkohë që 80 lojra u konfiskuan në subjekte të palicencuara.
Gjatë aksionit pati dhe përplasje mes inspektorëve që zbatonin ligjin dhe pronarëve të kazinove.
Kështu, gjatë konfiskimit të makinave tek Rozafa Palace, u desh ndërhyrja e forcave të rendit për të ushtruar masat administrative.
m.i/NOA