Trafikanti ia mbylli gojën me një shirit ngjitës rryme, e drogoi dhe e kërcënoi se do t'ia vriste familjen. Pas kësaj, femra me pamje fëminore, e cila tani është 27-vjeçare, e kuptoi se njeriu me të cilin planifikonte të martohej e kishte joshur përmes një gënjeshtre të tmerrshme
Nga Dan Bilefsky*
Udhëtimi i saj, kur ishte 18-vjeçe, prej një fshati shqiptar drejt një bordelloje të Londrës, në të cilin sipas saj ka kaluar pesë vjet duke punuar si prostitutë, filloi me një unazë të artë fejese, me premtimin për një jetë më të mirë jashtë vendit -sikurse edhe për shumëkënd para saj- dhe me një udhëtim me motor-barkë të shpejtë drejt Italisë, nën errësirën e natës. Aq shumë gra, meshkuj dhe fëmijë u trafikuan jashtë vendit që të punonin si prostituta, si punëtorë të detyruar ose si lypës, saqë qeveria e Shqipërisë para tri vitesh ua ndaloi shtetasve shqiptarë përdorimin e motor-barkave të shpejta, mjetin e preferuar transportues për trafikimin e njerëzve jashtë shtetit. Kjo masë drastike, bashkë me kontrollimin më strikt të kufirit dhe me vrasjet hakmarrëse të trafikuesve nga ana e familjarëve të viktimave, patën efekt të konsiderueshëm, duke e ulur trafikimin me përgjysmë, ndonëse nuk e eliminuan rolin e Shqipërisë si pikën kryesore të transitit për trafikimin e njerëzve nga pjesët lindore dhe jugore të kontinentit drejt Evropës perëndimore, pohojnë ekspertët që e vëzhgojnë trafikimin. Mirëpo, ndalesa nxiti protesta të zhurmshme të peshkatarëve dhe të njerëzve të industrisë së turizmit, kështu që ajo u pezullua në muajin maj. Zyrtarët ligjor dhe ata për të drejtat e njeriut janë të shqetësuar që, si rezultat, trafikimi i njerëzve do të mund të rieksplodojë - në një kohë jashtëzakonisht të vështirë. Sipas shumë ekspertëve, kriza financiare do të mund të rriste trafikimin e njerëzve në gjithë botën. Raporti i qershorit i Departamentit të Shtetit tërhiqte vërejtjen e një rreziku potencial, duke pohuar se kriza po shkakton "një ulje të kërkesës për punë dhe një rritje të punëtorëve, të gatshëm që të marrin përsipër rreziqe edhe më të mëdha për përfitime ekonomike". Në rastin e Shqipërisë, shtetit të varfër në jug të Ballkanit, që iu bashkua NATO's në muajin prill dhe që synon t'i bashkohet bashkimit Evropian, mundësia e qeverisë për të luftuar trafikimin shikohet si një test kritik. Për viktimat, si rasti i femrës nga fshati i vogël që ra në grackën e premtimeve të rreme nga trafikuesi i saj, luftimi është çështje e mbijetesës. "Unë isha e dashuruar në të. Ëndërroja ta jetoja jetën me të, por e tëra ishte vetëm një rrenë e madhe", tregonte ajo kohë më parë gjatë një interviste, në strehimoren për viktimat e trafikimit. "Doja të ikja, por para ligjit unë isha një prostitutë me dokumente false. Ku mund të shkoja?" Sipas saj, njeriu që e keqpërdori dhe që besimin e saj e fitoi brenda disa muajsh, pastaj e mbylli në një dhomë, duke ia marrë pasaportën dhe celularin. Ai tregonte se e kishte rrahur dhe ia kishte prerë flokët me brisk xhepi, një vërejtje kjo se çfarë mund t'i bënte po të tentonte të ikte. Ishte e detyruar me dhunë që të bëhej prostitutë në Londër dhe Andwerp (Belghjikë). Për të mbuluar gjurmët, familja e mashkullit i kishte thirrur prindërit e saj, duke u thënë se çifti ishte vendosur në Kosovën fqinje. Gruaja nuk e tregon emrin, nga frika se mund të ndëshkohet nga trafikuesi duke e bërë kështu të pamundur konfirmimin e tregimit të saj në raportin policore, të cilin tregon se e ka plotësuar kundër tij. Mirëpo, koordinatori dhe drejtori i strehimores ku ajo qëndron i kanë parë detajet e rastit të saj dhe kanë garantuar për kredibilitetin e saj. Në periudhën e kulmit të trafikimit, ekspertët vlerësojnë se me mijëra femra , meshkuj dhe fëmijë janë dërguar në Greqinë e afërt, në Itali, apo diku tjetër, me qëllim të eksploatimit seksual ose për punë të dhunshme. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 12.3 milionë njerëz janë punësuar në gjithë botën si skllevër seksi ose të punës me dhunë.
Shumë prej tyre, janë joshur përmes fejesave të rrejshme, martesave të njëmendta ose përmes ofertave false të punës. Në disa raste viktimat madje edhe ishin shitur nga familjet e veta.
Të tjerët kishin pranuar vullnetarisht. Megjithë ndalimin e motor-barkave të shpjeta vitin e kaluar, në raportin e tij të qershorit Departamenti i Shtetit pohon se në vitin 2008 Shqipëria nuk ka rritur as "minimumin e standardeve për eliminimin e trafikimit", edhe pse ka ndërmarrë "përpjekje të konsiderueshme për bërë këtë".
Sipas raportit, korrupsioni ende mbetet i përhapur. Në qershor 2007, Ministri e Brendshme arrestoi 12 policë të akuzuar për tri raste të trafikimit të njerëzve, përfshirë gjashtë oficerë, përgjegjës të drejtpërdrejtë për luftimin e trafikimit. Zyrtarët ligjor të Shqipërisë pohojnë se ndihma nga shtetet tjera për mbledhjen e dëshmive për dënimin e trafikuesve shpeshherë mungon. Iva Zajmi, koordinator i anti-trafikut në Ministrinë e Brendshme, theksoi se si rezultat i prostitucionit të toleruar ose legal në disa shtete, si Belgjika, Gjermani apo Holanda, shumë femra të trafikuara nuk ishin identifikuar si viktima në ato shtete. "Legalizimi i prostitucionit ka krijuar një mur, prapa të cilit trafikuesit mund t'i fshehin dhe keqtrajtojnë viktimat", sqaroi ai. Trafikimi në Shqipëri filloi në vitin 1991, menjëherë pas rënies së komunizmit, dhe përreth 10 vjet trafikantët atje punuan të pandëshkuar, në mungesë të ligjeve kundër trafikimit. Problemi kulmoi në vitin 1997, kur skemat piramidale shkundën Shqipërinë, duke e shtyrë vendin fare pranë luftës qytetare. "Shqiptarët po i shitnin edhe motrat e tyre për para", tregonte Ilir Yzeiri, një shkrimtar shqiptar që bëri një film dokumentar për trafikimin e njerëzve. Në vitin 2004, qeveria themeloi gjykatat për gjykimin e rasteve të trafikimit dhe aprovoi ligje të rrepta kundër trafikimit, përfshirë edhe dënimet me burg për trafikuesit, që shkonin deri në 15 vjet. Mirëpo, ekspertët për të drejtat e njeriut thonë se gjykimet janë të rralla, pjesërisht për shkak se shumë viktima frikësohen të dëshmojnë. Vitin e kaluar u gjykuan 22 raste trafikimi, që sipas raportit të Departamentit të Shtetit paraqet një numër përgjysmë më të vogël se në vitin 2007. Brikena Puka, drejtoreshë ekzekutive e ‘Vatra', një grup ky i njohur gjerësisht për ndihmën e dhënë viktimave të trafikimit, deklaroi se ndjekjet penale ishin të pakta pjesërisht edhe për shkak se shumë viktima po gjykohen për prostitucion. Në disa raste, femrat madje ishin burgosur pasi që ishin deportuar nga shtetet e ndryshme. "Femrat e trafikuara po viktimizohen dy herë. Fillimisht, nga ana e trafikuesve, e pastaj edhe nga sistemi juridik i Shqipërisë", tregon ajo. Madje edhe nëse dëshirojnë të ngrenë padi, femrat e trafikuara që u intervistuan thonë se është jashtëzakonisht e vështirë që t'iu shmangen ndjekësve, të cilët janë pjesë e një rrjeti të organizuar ndërkombëtar. Viktima e trafikimit që e tregoi rrëfimin e saj, përkujton se trafikuesi i saj kishte kontakte në secilin qytet që e kishin vizituar. Sipas saj, trafikuesi madje kishte punësuar edhe një falsifikues, i cili ia siguronte dokumentet false. Mendoi se më në fund do të lirohej atëherë kur trafikuesi i saj u arrestua në Londër, në vitin 2006, dhe kur u deportua për në Shqipëri. Por në vend të kësaj, vëllezërit dhe gruaja e tij, që mbetën në Londër, e kthyen prapa në tregun e seksit. Sipas saj, asokohe mund t'i bënte mbi 1,000 euro në ditë, gjegjësisht rreth 1,400 funta, megjithëse kurrë nuk iu lejua që t'i mbante. Brenda disa javësh, kujton ajo, e kontaktoi policinë britanike, e cila shumë shpejt e depërtoi në Shqipëri, ku plotësoi ankesën në Policinë shqiptare, duke e akuzuar trafikuesin për abuzim. Dhe, kur më në fund ia tregoi të gjitha familjes, ata e mirëkuptuan. Pak javë më vonë, ajo ishte rrëmbyer përsëri nga takuesi i saj, që ishte liruar ndërkohë. E kishte kërcënuar se do ta vriste nëse nuk e tërheq deklaratën nga policia, kështu që u detyrua t'i thoshte policisë se "kishte gënjyer për shkak të xhelozisë". Koordinatori i strehimores ku ajo qëndron tani, pohon se deklarata origjinale e rrëfimit të gruas ishte aq e detajuar - dhe shfaq aq shumë shenja të abuzimit psikik dhe psikologjik - saqë policia ka refuzuar tërheqjen e saj prapa. Ajo madje i referohej edhe strehimores së saj, e cila e kishte trimëruar që të ngiste një akuzë formale kundër trafikuesit. Në fund e bëri këtë, dhe trafikuesi u arrestua për një muaj, para se të lirohej për herë të dytë, tregon koordinatori, i cili insistoi në anonimitet për shkaqe sigurie. Ish-prostituta nuk përballet më me tmerret e përditshme të trafikuesit, por është e detyruar që të jetojë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të policisë brenda strehimores me siguri maksimale, të cilën nuk e ka braktisur për tri vjet. Kohën e kalon duke shikuar televizorin dhe duke mësuar, sepse dëshiron të bëhet stiliste në sallonin e improvizuar të strehimores. "Gjithkush pret që shteti të mbrojë qytetarët e vet. Gjithkush pret që ligjet të mos e shndërrojnë viktimë në kriminel. Jashtë Shqipërisë, isha e vetmuar, e tani, megjithëse jam në shtetin tim, ende jam e akuzuar", shprehet ajo. (*) The New York Times