Kriza është e ndjeshme, e pranishme. Që në momentin e parë si amvisë e kupton rritjen e çmimeve. Në qoftë se deri dikur e kaloja muajin me një vlerë të caktuar lekësh, tani duhet të shtoj diçka më shumë. Por nuk është vetëm kjo, kam një kredi bankare e cila rritet çdo vit dhe kjo është për efekt krize
Nga Aleksandër Furxhi*
Tiranë, 18 Korrik NOA/BBC - Kriza botërore ka shfaqur pasojat e saj edhe në ekonominë shqiptare. Ajo që ekspertët dhe statistikat shtetërore kanë treguar është rënia e eksporteve dhe ulja e sasisë së parave që emigrantët dërgojnë në formën e ndihmës për familjarët në atdhe.
Por përveç këtyre aspekteve, ndryshe nga disa vende perëndimore, kriza botërore në Shqipëri ka sjellë rritje të çmimeve, sidomos të sendeve të përdorimit të përditshëm.
Në Tiranë, Anila, me profesion psikologe tregon për BBC-në se si e ndjen ajo në jetën e përditshme krizën ekonomike:
"Kriza është e ndjeshme, e pranishme. Që në momentin e parë si amvisë e kupton rritjen e çmimeve. Në qoftë se deri dikur e kaloja muajin me një vlerë të caktuar lekësh, tani duhet të shtoj diçka më shumë. Por nuk është vetëm kjo, kam një kredi bankare e cila rritet çdo vit dhe kjo është për efekt krize.
Punët e tim shoqi, përderisa ka një biznes privat normalisht janë pakësuar, gjithashtu edhe shpenzimet e tjera të cilat ne ja kemi privuar në një farë mënyre vetes.
Nuk shpenzojmë për veshjet siç kemi shpenzuar, ndoshta dhe pushimet si dhe elementë të tjerë të jetës të cilat janë në pamje të parë vogëlsira, si shkollat e fëmijëve, por faktikisht janë elementë të krizës të dukshme dhe të ndjeshëm."
Kriza ekonomike edhe nëse realisht nuk është e pranishme, ajo ndikon si frenuese në mendjen e njerëzve, apo si një pasiguri në të ardhmen. Anila thotë:
"Deri tani nuk kemi bërë kufizime sepse punojmë të dy dhe unë kam një pagë të mirë dhe im shoq ka një biznes i cili na ndihmon disi, por në qoftë se nuk kemi kufizuar deri tani ushqimet, kuptohet që kufizimet kanë ardhur në pjesë të tjera dhe nëse në të ardhmen do vazhdojë kështu patjetër që do kemi kufizime dhe në ushqim."
Por jo të gjithë i ka kapur kriza, apo frika prej saj. Ka nga ata që nuk e kanë ndjerë në biznesin e tyre, madje kanë ecur mirë gjatë vitit të fundit, siç tregon Arta Mitro, administratore biznesi:
"Me thënë të drejtën duke patur dhe një biznes timin, normalisht mua vetë nuk më ka kapur kriza pasi kam një biznes të cilit kohët e fundit i kam bërë dhe investime të tjera dhe si rezultat nuk e kam ndjerë këtë krizë, pasi dhe klientelën e kam të përzgjedhur, në kuptimin që ndoshta janë dhe ato që nuk e ndiejnë krizën ndaj dhe unë nuk e kam ndjerë krizën. "
Njerëzit natyrisht prishin para apo konsumojnë sende dhe ushqime sipas buxhetit që kanë në dispozicion. Ka nga ata që mendojnë se me buxhetin e tyre i plotësojnë jo keq kërkesat e jetës, brenda një mënyre të caktuar të jetuari.
Megjithatë, kohët e fundit edhe kjo kategori vë re se disa shpenzime nuk i bëjnë si më parë, siç thotë Alda me profesion ekonomiste:
"Nuk bëjmë shpenzime dytësore më të mëdha, p.sh i privojmë vetes ca dalje, ca shpenzime për fëmijët që normalisht i bënin më të mëdha dhe tani nuk i bëjnë më si veshjet që duken gjëra të vogla, por që ndihen në çdo familje."
Një mënyrë me të cilën njerëzit matin mundësitë e tyre për të jetuar më mirë ose jo është ushqimi që ata sigurojnë me të ardhurat e tyre. Dhe një vend të rëndësishëm në menynë ditore të këtij sezoni, pa dyshim që e zënë frutat dhe perimet. Fadili është një shitës perimesh në Tiranë.
Por ndërsa perimet konsumohen në një masë më të gjerë, kur vjen puna tek artikuj si peshku, njerëzit mendohen mirë para se ta blejnë, për arsye të çmimit. Kështu thotë Vangjo në mikrofonin e BBC-së.
"Jemi dy vetë në shtëpi unë dhe gruaja. Unë punoj ku gjej punë, por si gjithmonë nuk ka punë. Gruaja merr një rrogë prej 17 mijë lekësh. Vështirësi kemi shumë, çmimet e ushqimeve janë ngritur të gjitha. Peshkun e blejmë një herë në 3 muaj."
Në situatë të ngjashme ekonomike është edhe Mentori, kryefamiljar në një shtëpi me 5 frymë.
"Unë herë jam me punë, herë jo. Provizor kam gjetur një punë tani. Goca e madhe ka mbaruar shkollën e lartë dhe aktualisht është pa punë. Gruan e kam pa punë dhe jetojmë më keq se një vit më parë. Nëse para 2 vitesh e blinim mishin, tani e kemi përgjysmuar dhe po shkon drejt reduktimit të mishit në familje. 1 kg mish kushton 750 lekë dhe ne nuk jemi në gjendje ta blejmë, dikur ka qenë me 600 - 650 lekë. Gjithmonë çmimet kanë ardhur në rritje".
(*) Korrespondent i BBC-së, Tiranë