Tiranë, 18 Korrik NOA - Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve reagon ndaj kushteve të rrezikshme në të cilat siç thotë, ndodhen turistët dhe pushuesit në shumë plazhe të Shqipërisë si pasojë e mungesës së standardeve minimale të sigurisë.
Ngjarja më e fundit ku qytetari kosovar 38 vjeçar Sabit Kuçi u aksidentua rëndë nga një motor uji në Plazhin e Durrësit është vetëm një pjesëz e vogël e situatës absurde të shëtitjeve të çmendura me motor uji në plazhet e Shqipërisë.
ZMK evidenton se asnjë forcë policie apo sigurie nuk ka vendosur ndonjë standard për qarkullimin e këtyre mjeteve ujore.
Po ashtu, askush nuk i kontrollon këto mjete që terrorizojnë plazhistët me shpejtësinë e çmendur me të cilat lëvizin.
Ministria e Brendshme dhe organet e pushtetit vendor duhet të marrin masa të menjëhershme për të normalizuar situatën sepse qytetarët nuk mund të presin më, - thotë ZMK e drejtuar nga Altin Goxhaj.
Sipas saj, Policitë Bashkiake në Velipojë, Durrës, Golem, Vlorë, Himarë, Sarandë duhet të marrë urgjentisht rolet dhe përgjegjësitë që u takojnë.
Për ZMK, plazhet kërkojnë plotësim të standardeve minimale të sigurisë dhe kullat e rojes bregdetare duhen vënë urgjentisht në funksion që tragjedi si ato të një jave më parë në Vlorë të mos ndodhin më.
Në Plazhin e Durrësit, shoqatat dhe komuniteti i biznesit i kanë ofruar Bashkisë së Durrësit 10 kulla roje të cilat kanë mbetur të shkreta prej 2 vjetësh pikërisht se Bashkia Durrës refuzon të miratojë buxhetin për rojet e plazhit.
"Jeta e një qytetari të vetëm nuk vlen sa angazhimi i struktuave lokale të cilat po flenë gjumë ndërkohë që turistët dhe pushuesit vendas rrezikojnë përditë në vend që të pushojnë të qetë", - thotë Altin Goxhaj, drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
e.l/NOA