Në Shqipëri dhe në Kosovë mungon tradita e gjatë në hulumtimet e opinionit publik. E keqja nuk është vetëm pse mungon kjo traditë, por edhe pse mungon mënyra fleksibile dhe refleksive e të menduarit, mungon prirja dhe gatishmëria për ta dëgjuar tjetrin, mungon kultura e gjykimit a posteriori
Nga Shemsi Krasniqi Përvojat e sondazheve dhe exit-poll-eve në Shqipëri ishin rast i mirë për ta kuptuar rolin e hulumtimeve të opinionit publik në demokraci, efektin e tyre në atmosferën elektorale dhe përmbushjen e nevojës së elektoratit për ta ditur sa më parë rezultatin. Janë disa momente interesante që vlen të përmenden në lidhje me vlerësimet dhe reagimet e politikanëve, mediave dhe publikut lidhur me sondazhet dhe exit-poll'et. Po i përmendi dy modele kryesore të reagimit, që tregojnë pro dhe kundër pozicionet e akterëve kryesorë politikë, mediave dhe publikut të gjerë në lidhje me hulumtimet e opinionit publik. "Sondazhe të porositura", "Sondazhe të paguara", "Manipulim me opinionin", "Mashtrime", "Nuk iu besoj sondazheve", etj. - janë fraza të cilat i përdorin ata që shprehin qëndrimin negativ, hezitues, refuzues, denigrues, injorant dhe injorues ndaj sondazheve dhe kompanive që i bëjnë ato. Ajo që bie në sy tek ky model i vlerësimit, është vënia në pyetje e profilit moral të hulumtuesve, e jo e aspektit profesional të hulumtimit. "Ekspertët për moral", për sa i përket fushës së hulumtimeve, duket se nuk kanë sens profesional. "Sipas sondazheve pritet të fitojë…", "Bazuar në sondazhe, të gjitha gjasat për fitore i ka…", "Sondazhet tregojnë se fitorja do t'i takojë…", "Sondazhet tregojnë epërsi të …", etj., - janë fraza të cilat përshkruajnë mbështetjen, besimin, mendimin aprovues dhe konstatimet, ose pritjet, e bazuara mbi të dhënat e sondazheve. Në Shqipëri dhe në Kosovë mungon tradita e gjatë në hulumtimet e opinionit publik. E keqja nuk është vetëm pse mungon kjo traditë, por edhe pse mungon mënyra fleksibile dhe refleksive e të menduarit, mungon prirja dhe gatishmëria për ta dëgjuar tjetrin, mungon kultura e gjykimit a posteriori. Qytetarët shqiptarë, politikanët, analistët dhe opinionistët nuk duhet të presin edhe 50 vjet për të kuptuar se "vox populi" nuk matet me fjalimet e liderëve e as me deklaratat e zëdhënësve të tyre. "Vox populi" nuk matet as me brohoritjet në tubimet masive, as me valëvitjet e flamujve, e as me pozat dhe dimensionet e fotografive, as me vizitat e rralla të liderëve në terren e as me vizitat e shpeshta të përkrahësve të tyre nëpër zyra, as me copëzat e shiritave të prerë për projektet e realizuara e as me premtimet për projekteve të planifikuara, as me emisione televizive e as me letra dhe mesazhe elektronike, as me shkrimet nëpër gazeta dhe as me mbishkrimet nëpër mure. Ata duhet të kuptojnë se pas zgjedhjeve të lira dhe të drejta, mënyra e vetme dhe më e sigurt për matjen e disponimit të elektoratit është hulumtimi i opinionit publik. Politikanët, analistët dhe opinionistët, po ashtu duhet ta kuptojnë, së paku në mënyrë amatore, metodologjinë dhe konceptet bazike të hulumtimit, në mënyrë që komentet dhe cilësimet e tyre të mos dalin banale e diletante. Në anën tjetër, as kompanitë e hulumtimeve nuk duhet ta luajnë rolin e zëdhënësit të popullit, as të pushtetit, as të opozitës, as të mediumeve të veçanta, as të shoqërisë civile, as të grupeve të interesit e as të strukturave dhe konjukturave tjera sociale. Ato nuk duhet të flasin me sigurinë absolute, posaçërisht nëse gjatë mbledhjes së të dhënave në terren, respondentët nuk janë ndier të lirë dhe të sigurt që t'i shprehin mendimet dhe përgjigjet e tyre. Publikimi i rezultateve të exit-poll'it në Shqipëri, në mbrëmjen e 28 qershorit, eksitoi mijëra simpatizantë të partisë në pushtet për ta festuar fitoren. Por, numërimi i votave në vazhdim, e ftohu deri në "ngrirje të thellë" entuziazmin dhe euforinë e manifestuesve dhe atyre që prisnin fitoren e PD'së. Në media filluan debatet për gabimet e exit-poll'it dhe për mundësinë e "manipulimit". Autorët e tij, njohësit e hulumtimeve, opinionistët dhe analistët filluan debatin për mundësitë dhe shkaqet e gabimit, për pikat e dobëta, për të panjohurat dhe të papriturat që kanë dalë gjatë procesit të hulumtimit. Një gjë që u mungonte të gjitha debateve dhe analizave ishte trajtimi i kompleksitetit të vetë matjes, si edhe i kompleksitetit të fenomenit social që po matej. Natyrisht se kur është fjala për zgjedhjet, veprimi kryesor që bën qytetari i zakonshëm është votimi, dhënia e votës, pra kryerja e një obligimi qytetar. Duket si veprim i thjeshtë, por në fakt është mjaft kompleks. "Për kë votove?", është pyetja më elementare që mund ta ketë bërë hulumtuesi, kurse përgjigja e sinqertë në të është rruga më e sigurt për matjen e rezultatit. Por, çka tjetër përmban kjo pyetje elementare dhe ky veprim "i thjeshtë"? Përmban hezitimin, ose edhe vendosmërinë, për të votuar, dëshirën dhe shpresën për fitore, definimin e interesit personal dhe kolektiv, fshehtësinë e votës, frikën për të treguar, të drejtën për të mos treguar, privatësinë, mosbesimin në hulumtuesin dhe në mediat, politizimin e shoqërisë, ndjenjën e përçarjes dhe të izolimit social, etj. Veprimi që quhet "votim", "dhënie e votës", etj., është shumë kompleks në tërësinë e tij. Kompania që bën matjen e këtij veprimi të "thjeshtë", paraprakisht duhet të hartojë strategji e metodologji adekuate për evitimin e të papriturave ose kapërcimin e faktorëve subjektivë dhe objektivë që e shtrembërojnë përgjigjen. Shpjegimet se votuesit socialistë kanë gënjyer, se janë "bizantinë" etj., nuk janë korrekte. Ata edhe mund të jenë frikësuar ta tregojnë të vërtetën, por edhe votuesit demokratë, në vendvotimet e zonave "socialiste" mund të jenë frikësuar. Ashtu siç doli i balancuar rezultati final, edhe frika do të mund të ketë qenë e balancuar. Është gjë e njohur se pushteti nuk i mbron vetëm përkrahësit e vetë. Njerëzit e pushtetit, për të treguar se janë "të mirë", "fer", "demokratë të vërtetë" etj., shpeshherë i mbështesin edhe kundërshtarët. Në fakt, ata këtë e bëjnë me qëllim të depozitimit të lidhjeve dhe përzgjatjes së ndikimit të tyre edhe në strukturat e pushtetit të ardhshëm. Megjithatë, nëse realisht ka ekzistuar frika, hulumtuesi do ta ketë hetuar atë, sidomos për faktin se para exit-poll'it janë bërë edhe një seri sondazhesh. Ndoshta kjo nuk do të ndikonte aq në rezultatin final të hulumtimit, por do të duhej që së paku, frika, hezitimi, shtrembërimi dhe fshehja e votës nga një pjesë e konsideruar e votuesve respondentë, të paralajmërohej në momentin e publikimit të të dhënave. Rrjedhimisht, do të duhej të paralajmërohej edhe mundësia e gabimit ose pasaktësia, dhe parandjenja për pasaktësinë jo vetëm që do ta mbronte kredibilitetin e hulumtimit, por do ta parandalonte edhe eksitimin me këtë exit-poll. ("Express", autori është mësimdhënës në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës)Â