English

Konfindustria: Qeveria të marrë masa për të shpëtuar investimet industriale

Tiranë, 19 Korrik NOA - Konfindustria, shpreh shqetësimin e saj për uljen e ndjeshme të importeve të zërit "makineri dhe pajisje" gjatë gjysmës së parë të vitit 2009 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA, se ulja e këtij zëri është dhe më e theksuar (në masën gati 11 për qind), gjatë muajit qershor kundrejt muajit paraardhës.

Për Buxhukun, "nëse një dukuri e tillë mjaft shqetësuese vazhdon, jo vetëm kemi vërtetim të krizës së tashme, por çka është më e rënda krijon kushtet për uljen e efektivitetit dhe të konkurrencës së industrive vendore, që do të thotë, se ekonomia shqiptare do të përfshihet në një krizë afatgjatë me pasoja të paparashikueshme".

Në këtë pikë, Konfindustria, nisur nga shqetësimet e thella të industrive të rëndësishme anëtare të saj, i ka kërkuar me kohë zyrtarisht Qeverisë shqiptare dhe gjithë vendimmarrjes politike të vendit, që sa më shpejt të marrë vendim për të hequr plotësisht ose të shtyjë për një afat të paktën 3 vjeçar pagesën e TVSH-së për zërin "makineri dhe pajisje".

Kjo, nga Buxhuku, shihet si një nga masat e domosdoshme dhe të mundshme për të rritur efektivitetin e ekonomisë shqiptare në afatgjatë.

Bazuar në të dhënat e ardhura pranë Konfindustrisë vihet re, se janë të shumta rastet sidomos në kohët e fundit kur si rrjedhim i rënies së ndjeshme të nivelit të shitjeve së prodhimeve të tyre dhe uljes të kreditimit bankar, kur industritë shqiptare janë të detyruara të shtyjnë në kohë programet e investimeve të reja ose kanë vështirësi të dukshme financiare në pagesat e TVSH-së për "makineri dhe pajisje" të importuara më parë dhe që zënë vlera të mëdha financiare për aktivitetin e biznesit.

/e.k/k.k/NOA/

KOMENTE