Elbasan, 19 korrik NOA - Kontakti me rrymën elektrike i ka marrë jetën një elektricisti në një fshat të Elbasanit.
Ngjarja ndodhi paraditen e sotme në fshatin Mirakë të Elbasanit, kur Petrit Kanani 58-vjeç me profesion elektricist ka gjetur vdekjen pas një kontakti me rrymën e tensionit të lartë.
Në vendin e ngjarjes mbërritën oficerët e policisë për të zbardhur rrethanat e vdekjes së elektricistit.
Burime nga policia thanë se bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, Kanani po priste disa degë të një peme, kur sëpata ka prekur një tel të tensionit të lartë i cili përcillte energjinë elektrike.
Për pasojë kontakti i ka sjellë vdekjen e menjëhershme elektricistit, ndaj të cilit ndihma e personave që ndodheshin në vendngjarje ka qenë e kotë.
Trupi i pa jetë i 58-vjeçarit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme.
k.k/NOA