Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 19 Korrik NOA - Ajo që ishte parashikuar nga ekonomistët dhe mohuar nga zyrtarët e qeverisë po konkretizohet.
Kriza ka dhënë efekte në mbledhjen e të ardhurave dhe ky fakt ka detyruar ministrinë e financave të rishikojë buxhetin e shtetit.
Defiçiti i krijuar nga mos mbledhja e taksave arrin në 6 miliardë lekë te reja, vetëm në pjesën e parë të vitit.
Gjatë një interviste sot, Zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu shprehet se gropa financiare është krijuar nga doganat, ku kriza ka prekur ndjeshëm këtë sektorë.
Sipas tij rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare si dhe rënia e importeve ka sjellë më pak para për doganat.
Shehu shprehet se ministria në këto kushte është duke para në tërësi mundësinë e ndryshimit të buxhetit për të mbushur gropën financiare.
"Ne nuk duam që mungesën e të ardhurave ta kompensojmë me paratë e kontigjencës apo privatizimeve, pasi këto para janë destinuar për shtimin e investimeve dhe reduktimin e borxhit", - thotë Shehu.
Ndaj qeveria u detyrua që të rrisë disa taksa doganore, siç është aksiza e cigareve, pijeve alkoolike si dhe kafenë.
Një shenjë e qartë kjo për të mbuluar defiçitin e të ardhurave të krijuar në buxhet.
Ne, - tha Shehu do të bëjmë çmos të ruajmë çdo qindarkë nga buxheti i shtetit, po të jetë e nevojshme një sërë investimesh që nuk garantojnë përfundimin brenda këtij viti mund të anulohen.
E ndërsa të ardhurat nuk janë realizuar në masën e programuar, shpenzimet kanë qenë në ritmin e kundërt, kjo edhe për efekt të zgjedhjeve parlamentare.
Por numri dy i Financave thotë se deri tani janë shpenzuar afro 46 për qind e totalit të parave të destinuara për investimet.
Sipas tij kjo do të thotë që edhe për 6 mujorin e dytë ritmi i investimeve nuk do të ulet.
Por niveli i investimeve do të varet nga ritmi i mbledhjes së të ardhurave.
Të gjitha parashikimet japin tablonë se pjesa e dytë e viti do të jetë e vështirë për sa i përket arritjes së objektivave të parashikuar, pasi kriza do të japë efekte edhe më të mëdha gjatë kësaj kohe.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Sali Berisha u kërkoi ministrave të rishikojnë shpenzimet operative me tendencë ulje, sinjale të mjaftueshme për të kuptuar se qeverisë pas zgjedhjeve i duhen para për të mbushur arkën e shtetit.
/r.l/b.a/NOA/