Lezhë, 19 Korrik NOA Update - Ngjarje rrënqethëse zbulohet në Tale të Lezhës, ku një baba "monstër", ka abuzuar me vajzën e tij duke e përdhunuar atë rregullisht, veprim që kur u zbulua, mendohet se ishte nxitje për të shoqen të vetëflijohej.
Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA, konfirmoi arrestimin sot pasdite (e Diel), të 60-vjeçarit Prekë D, lindur e banues në Tale të Lezhës.
Ai akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale në mënyrë të përsëritur me vajzën e tij 21-vjeçare A.D, nga i njëjti vendbanim.
Policia tha se po heton edhe për vdekjen para afro tre muajsh të bashkëshortes 55-vjeçare të Prekës, e cila sipas hetimeve të mëparshme vdiq si pasojë e vetëhelmimit.
Dyshime të forta ka se ky akt flijimi erdhi pasi e shoqja e Prekës nuk duronte dot faktin që e bija abuzohej seksualisht prej tij dhe kur e mësoi, nën presion dhe kërcenime nga i shoqi, zgjodhi vetëvrasjen.
Çifti ka tre vajza, më e madhja, viktima e përdhunimit, 21-vjeçarja A.D., si dhe dy të tjera, përkatësisht 19 dhe 17 vjeçare.
Policia tha se arrestimi pasditen e së Dielës i 60-vjeçarit erdhi pasi në orët e mëngjesit, vajza 21-vjeçare A.D dhe motra e saj dy vjet më e vogël E.D, denoncuan aktin seksual që sikundër thuhet në kallëzim, Prekë D., kryente rregullisht prej afro një viti me vajzën më të madhe të tij.
Ka qenë motra 19-vjeçare ajo që ka parë mbrëmjen e së Shtunës të atin të futej në dhomë dhe ndërsa mendonte se vajzat e tij flinin gjumë, ka tërhequr drejt dhomës së tij 21-vjeçaren, me qëllimin pervers për të përmbushur si dhe herë të tjera gjatë një viti, epshet seksuale me të bijën.
Kur ka parë këtë skenë dyshuese, në orët e mëpasme që e motra është kthyer, 19-vjeçarja e ka pyetur dhe ka arritur të nxjerrë nga viktima, faktin rrënqethës. Në gjendje shoku, ka arritur ta tërheqë drejt drejtorisë së Policisë së Lezhës ku kryen denoncimin.
Policia tha se në dëshmitë e dy motrave, thuhej se 21-vjeçarja i ishte nënshtruar të atit në aktet perverse, për shkak të presionit dhe kërcënimeve që ai ushqente shpesh ndaj saj.
Pritet që në orët në vazhdim, të mësohen detaje të tjera, pas marrjes në pyetje edhe të autorit të dyshuar të abuzimit seksual me incest.
/v.m/b.a/NOA/