English

Berisha: Lamtumirë FMN, Westin: Gati për bashkëpunim të mëtejshëm

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 20 korrik NOA - Në një kohë kur ekonomia e vendit ka dhënë shenja të dukshme të prekjes nga kriza ekonomike, pasi të ardhurat nuk po mblidhen në nivelin e duhur dhe ku roli I FMN vlerësohet nga ekonomistët si stabilizues, kryeministri Sali Berisha i ka dhënë lamtumirën zyrtare përfaqësues së fondit në Tiranë, Ann Margaret Westin.

Në takimin e fundit të zhvilluar sot në kryeministri, mësohet se kryetari i qeverisë ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për prezencën në Shqipëri.

Ky takim vjen në një kohë kur buxheti i shtetit po përballet me vështirësi në mbledhjen e taksave dhe rritjen e deficitit buxhetor.

FMN nuk ka dhënë informacion lidhur me bisedën e zhvilluar mes palëve.

Kurse Kryeministria tha se Berisha priti sot në një takim përfaqësuesen e Fondit Monetar për Shqipërinë, znj. Ann-Margret Westin me rastin e largimit të saj, pas përfundimit të misionit të FMN-së në Shqipëri.

Sipas qeverisë, Shqipëria, mbylli me shumë sukses bashkëpunimin shumëvjeçar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe tani kalon në një fazë tjetër bashkëpunimi me ketë institucion duke u bazuar në Artikullin 4.

Zyra për shtyp e Qeverisë, citoi Berishën të ketë siguruar zonjën Westin se në këtë fazë të dytë të bashkëpunimit me FMN-në, sipas Artikullit 4, qeveria shqiptare është përsëri shumë e hapur dhe bashkëpunuese me këtë institucion.

Po ashtu, qeveria citon dhe zonjën Westin të jetë shprehur se po largohej nga Shqipëria me mbresa shumë të mira nga të gjitha pikëpamjet dhe se Fondi Monetar Ndërkombëtar është i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me qeverinë shqiptare.

Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani në një intervistë u shpreh se prania e FMN në vendin tonë vlerësohet si e domosdoshme, për garantuar stabilitetin makroekonomik të vendit.

Në të njëjtën linjë janë edhe shumë ekonomistë, por qeveria duket e vendosur në qëndrimin e saj për të larguar FMN dhe për të marrë vendime në mënyrë të pavarur, pa u kushtëzuar nga ndërkombëtarët.

Nëse qeveria shqiptare do të kishte një marrëveshje bashkëpunimi me FMN, atëherë ajo do të ishte një ndër ekonomitë që do të përfitonte fonde nëpërmjet kredive të buta për të përballuar krizën.

Në këto kushte qeverisë i duhet të marrë kredi tregtare me norma të larta interesi.

/r.l/e.l/NOA/

KOMENTE