English

LSI: Rama interpreton erotikisht vendimet politike, si marrëdhënie midis meshkujve

Tiranë, 20 Korrik NOA - Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se Edi Rama e ka të pamundur të dalë nga dëshira e tij për të interpretuar në mënyrë erotike si marrëdhënie midis meshkujve të gjitha vendimet institucionale politike.

Deklarata e fortë erdhi sot nga Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp.

Vasali komentoi akuzat e kreut të PS, Edi Rama për një qeveri të papranueshme që erdhi sipas tij, si fryt i bashkëpunimit "martesor" Meta-berisha.

Rama kishte paralajmëruar dy ditë më parë se "Partia Socialiste do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për të dhe për nusen e tij të re që i pruri në prikë 83 mijë vota të majta duke krijuar mundësinë për koalicionin më të turpshëm në historinë e këtij vendi".

Duke komentuar pikërisht këtë deklaratë të Ramës që e ka quajtur bashkëpunimin PD-LSI, si një martesë mes liderëve të partive respektove, Vasili tha se "z. Rama e ka të pamundur të shkëputet nga para-politika, por edhe kur e bënë atë sërish e ka të pa mundur të dalë nga dëshira e tij për të interpretuar në mënyrë erotike si marrëdhënie midis meshkujve të gjitha vendimet institucionale politike".

Në takimin me mediat, z.Vasili ka folur edhe për rezultatet e zgjedhjeve te 28 Qershorit, që kanë hyrë në fazën e fundit për përmbylljen e tyre.

Tani fjalën e ka Kolegji Zgjedhor, i cili është organi i ngarkuar me ligj për shqyrtimin e ankesave dhe dhënien e vlerësimit përfundimtar.

Por Vasili tha se LSI konstaton që gjatë gjithë kësaj kohe opinioni publik është përballuar me presione deri edhe kërcënime gjithfarësh gjate procesit të vendimmarrjes së institucioneve si KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, institucione që gëzojnë autoritetin ligjor që të certifikojnë zgjedhjet në Shqipëri.

"Ne i bëjmë thirrje Kolegjit Zgjedhor që në veprimtarinë e tij të udhëhiqet vetëm nga ligji dhe Kodi Zgjedhor dhe të mos influencohet nga asnjë lloj presioni apo kombinacioni politik ngado që ai të vijë". /e.l/k.k/NOA/

KOMENTE