English

Menduh Thaçi: Misioni i PDSH, integrimi i shqiptarëve

Kryetari i PDSH në Maqedoni thotë se partia e tij është aty, pranë gjakimit të pandalshëm politik për barazi të plotë të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë.

Z.Thaçi, edhe sot pas disa muajve pas zgjedhjeve lokale fitohet përshtypja se ju jeni të kapluar nga emocionet e fitores në Tetovë. Mbajmë mend fitore edhe më të mëdha në karrierën tuaj politike, por ju gjithnjë i mbeteshit besnik nofkës tuaj "njeri i akullt".

- Për 17 vjet për sa po merrem me politikë kam pasur me mijëra paraqitje publike, takime, tubime, protesta e komunikime me qytetarët tanë, por asnjëherë nuk kam qenë kaq krenar si kryetar i kësaj Partie. Kjo sepse, idenë kombëtare të promovuar pandërprerë nga PDSH-ja, në momentet më të vështira qytetarët e Tetovës e ngriti në nivele më të lartë se kurdoherë PDSH-në. Unë nuk jam njeri që kënaqet duke e shikuar veten në pasqyrë, jam shumë realist dhe jam i vetëdijshëm se meritat për fitoren në Tetovë i takojnë aktivistëve tanë, strukturave tona si dhe tetovarëve në përgjithësi. Unë, me këtë rast, isha vetëm artikulues i kësaj sipërmarrje politike, që dimensionoi me përgjegjësi aspiratën e thellë kombëtariste të njerëzve të veçantë. Jam krenar që kam mbështetjen e 35 mij votuesve në Tetovë dhe rrethinë por besoj thellë se edhe ata janë të kënaqur që unë nuk lëshoj pe dhe nuk zbrapsem para asnjë shantazhi e kërcënimi, nuk lejoj blerje e shitje të interesave kombëtare. Unë dëshiroj dhe synoj që të gjithë ne të jemi një, gjë që, mes të tjerave, është edhe një normë fetare. Mes të tjerave, unë jam i bindur se në Tetovë po frymon elita e kombit dhe kjo më bën, siç thatë ju të dukem ngapak i emocionuar dy muaj pas fitores tepër të rëndësishme dhe jetike për PDSH-në. Kjo më bën të besoj fuqishëm se votat dhe përcaktimi i tetovarëve do të rrezatojnë në tërë territorin e Maqedonisë dhe se ato do të shumëfishohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

"PDSH-ka ka vdekur! Sot po e varrosim" - ky ishte slogani që dëgjohej në ditën e zgjedhjeve nga tabori i VMRO-së dhe kundërshtarëve tuaj nga kampi politik shqiptar?

- PDSH-ja në agjendën e politikave nacionaliste maqedonase është e nënvizuar me të kuqe - subjekt që duhet të shkatërrohet me të gjitha mënyrat. Maqedonasit në krye me Gruevkin e ushtruan fuqinë shtetërore duke i refuzuar rezultatet nga mbi 120 vendvotime gjatë zgjedhjeve parlamentare në 2008-ën e që ishin në favor të PDSH-së. E provuan edhe fuqinë e shantazhit dhe të aktivizimin e katrahurave politike fill pas këtyre zgjedhjeve me ç'rast realizuan krijimin e një "partie shqiptare" me elemente fund e krye sllave, e me paramendim për të gjunjëzuar Partinë Demokratike Shqiptare. E bindën tërë opinionin se kjo strategji antishqiptare u realizua përmes fytyrës së depiluar të kreaturave të Gruevskit, e që në prag të zgjedhjeve lokale të 2009-ës dolën me slloganin "DPA e mrtva, deneska ke ja zakopame"! Deshi Zoti dhe PDSH-ja i dridhi të gjitha parashikimet e shërbimeve sekrete antishqiptare në vend e më gjerë. PDSH-ja fitoi kryeqendrën kombëtare shqiptare të Maqedonisë, Tetovën. Votat e vetëdijes kombëtare e ndërgjegjësuan fuqishëm PDSH-në - nuk ka zgjidhje të çështjes kombëtare pa një marrëveshje përfundimtare që do të garantonte avancimin e çështjes shqiptare si dhe mirëqenien definitive të shqiptarëve të këtushëm. Elita kombëtare si dhe votat e shqiptarëve të ndërgjegjësuar këtë betejë kësaj radhe ia besuan PDSH-së.

Fundin e një partie politike në asnjë rast nuk mund ta përcaktojnë makinacionet servile të manekineve dhe klounëve politik, nga se ata janë flluska të mërzitshme dhe bjerrakohës që lehtë dhe qartë deshifrohen nga elektorati shqiptar. Për më tepër, opsionet politike të shartuara me maqedonizëm dominues janë teatralitet politik që mbarësohet me iluzionin se mund të gënjehen shqiptarët. Ky dramacitet i shpikur kërkon ta zbyth rrugëtimin politik shqiptar në lojëra oborresh, në të cilat klounët e politikës shqiptare marrin rol të pudrosur dhe dëshpërues. Fuqizimi mediatik i tyre, për të dobësuar dhe dekompozuar opsionin politik të PDSH-së tashmë të ravijëzuar në vetëdijen e elektoratit shqiptar, mbetet një pretendim mjeran somnabullësh politik.

Jetëgjatësia e një opsioni politik kryekëput është e ndërlidhur me aspiratat e thella kombtariste, të cilat janë shenjë mbrojtëse e PDSH-së. Pulsimi politik i një partie diktohet nga horizonti i pritjeve politike të një etnikumi dhe jo nga kazmat hipokrite të varrmihësve të projektuar.

PDSH-ja është aty, pranë gjakimit të pandalshëm politik për barazi të plotë të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë. Pakti i PDSH-së me aspiratat e thella kombëtariste të elektoratit shqiptar është i vazhdueshëm dhe i valorizuar në politikë të denjë dhe kozistente. Në suazën e këtij projekti PDSH-ja fuqizon praninë e vet politike, e cila tashmë është verifikuar në etalonet e afirmimeve kombëtare. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo përpjekje goditet nga të gjitha anët, por ne jemi të vendosur ta çojmë përpara testamentin politik të barabarësisë dhe të afirmimit kombëtar në Maqedoni.

Degjenerimi aktual politik shqiptar për PDSH-në mbetet një shtysë angazhimi për t'i dhënë tash e në të ardhmen forcë dhe vullnet paradigmës politike të ngritur mbi gjeografinë e aspiratës shqiptare.

Fabrikimet asgjësuese jopolitike gjithmonë gjenerojnë kundërvënie reale politike që ngjizen në një ontologji të gjerë shoqërore. PDSH-ja në opsionin e saj politik ka të inkarnuar natyrshëm dhe pa sforcime fuqinë e pandalshme të vullnetit shqiptar për barabarësi të plotë, si dhe vibrimet e përshpirtshme të kësaj ontologjie mosdorëzimi që i dha shenjat e vitalitetit dhe dinamizmit politik në fitoren e Tetovës.

Shqiptarët e Maqedonisë përfundimisht janë një popull politik që dhunshëm e ka mësuar abc-në e politikbërjes. Ndërkohë po dëgjohet vetëm mendimi i së ashtuquajturës elitë politike e intelektuale. Ç'po ndodh me popullin në emër të të cilit po thirreni të gjithë kur jemi në zgripç.

- Manipulimet në emër të popullit nganjëherë janë skajshmërisht perfide dhe të programuara dhe duhet kohë që kjo mjegull vetëmashtrimi të davaritet dhe gjërat të marrin konturet reale. Viteve të fundit është manipuluar shumë me nocionin popull. Mashtruesit sezonal fjalën popull e kanë degdisur në një nocion abstrakt influencash dhe përfitimesh meskine, duke e shfytyruar dhe duke zhvatur nga ky tonalitet një legjitimitet të shpifur, që nuk korrespondon aspak me pritjet reale të elektoratit shqiptar dhe as me vullnetin politik të tij.

Brenda hapësirës së projektuar mitike është krijuar një eufori populiste që më tepër ka qenë një mirazh i konstruktuar ndërvarësish kolonialiste, se sa një vullnet real populli. Të degdisur në një hapësirë parapolitike nga makineria zhbërese e pushtetit, shqiptarët kanë mbetur pa zë dhe bashkë me këtë edhe ndjeshmëritë politike kombtariste janë përzënë dhunshëm nga hapësira publike. Pjesëmarrja gjysmake në hapësirën publike, politikisht ka zmbrapsur substancën kombëtare në margjina, aty ku jetohet pa zë dhe pa aktivizim politik. Kjo për mua është njësoj si të dëgjosh muzikë vetëm me një kufje.

Mbi rrënojat e këtij shpartallimi social, ekonomik dhe kulturor është ngritur mashtrimi i madh popullist i promovuar nga integristët dhe së fundmi nga do klounë politikë, që nocionin popull e kanë shndërruar në pozë mediatike. Në brendi të këtij dekompozimi kombëtar tashmë me kohë është fabrikuar legjitimiteti rrënues, pasojat e të cilit tashmë tmerrësisht janë të prekshme. Por, unë them se ky nuk është fundi i dorëzimit shqiptar, nga se ka një forcë që gjithmonë di të përgjojë dhe të artikulojë drejt dhe në format më kreative këtë situatë dëshpëruese që kërkon shtratin e njëmend politik për ta riafirmuar praninë kombëtare. PDSH-ja është aty, me gjithë kapacitetin e vet demokratik dhe kombëtar, për ta deshifruar këtë mashtrim të madh dhe për t'ia kthyer shkëlqimin e duhur dhe meritor nocionit popull, vullnetit real politik të tij.

PDSH-ja kësaj radhe ka vendosur me mish e me shpirt t'i falënderohet popullit të vet, jo vetëm në letër, por edhe me vepra konkrete. Do të jetë një luftë shumë e rëndë por gjithsesi do të fitojmë. Si do ta arrijë suksesin në këtë luftë kësaj radhe PDSH-ja? Natyrisht, përmes institucionalizimit të Partisë, pra do të kalojmë në një parti-institucion të fuqishëm kombëtar, sepse, vetëm institucionet merren me fakte e argumente të pamohueshme, të parefuzueshme dhe gjithnjë të pranueshme si të vërteta. Para të vërtetës shkencore përkulen edhe zotëruat, e lëre më politikanët rishtakë maqedonas! Ky institucionalizim nënkupton edhe profesionalizim të Partisë, konsideratë dhe respekt të hierarkisë partiake si në vertikale, aq më tepër edhe në horizontale. Ndaj dhe këto ditë kemi marrë një fushatë më relaksuese dhe në të mirë të informimit reciprok në mes të degëve dhe nëndegëve të Partisë. E drejta e mendimit dhe fjalës së lirë në PDSH gjithnjë ka qenë e respektueshme. Kush nuk ka menduar si ne, ka ikur atje ku të tjerët kanë menduar antishqiptarçe! Ndërsa tani e tutje do ta instalojmë edhe një të drejtë të patjetërsueshme që tek subjektet e tjera anashkalohet në mënyre diktatoriale: e drejta për informim, e cila e shkakton të drejtën e respektimit apo të refuzimit të saj që e dëgjon. Është e obligueshme që të dëgjohet dhe të respektohet, pra të merret në konsideratë, mendimi nga baza dhe, e drejtë plotësisht legjitime, të refuzohet apo të pranohet nga baza e asaj që dëgjohet nga hierarkia partiake dhe, anasjelltas! Kush dëgjohet në Maqedoni? 7-8 politikanë, 4-5 analistë, prej të cilëve shumica të blerë e të shitur, mediat dhe gazetarët e kontrolluar dhe të subvencionuar direkt nga qeveria, ndërkohë që qindra mijëra qytetarë privohen nga e drejta për ta dëgjuar të vërtetën dhe të saktën! PDSH-ja do të përkujdeset për eliminimin e kësaj padrejtësie. Fillimisht përmes kontaktit me elektoratin e vet, pastaj me të gjithë qytetarët e vendit, si dhe me faktorin ndërkombëtar. Të gjithë këta faktorë duhet të informohen, të dinë dhe të marrin vesh se nga po shkon Maqedonia e ndërsyer nga nacionalistët maqedonas, nga integristët dhe nga qejfbërësit politikë që nuk u ha palla për çështjet kombëtare shqiptare. Këtë do ta shpjegojmë ne, si subjekt politik, të rehatuar shpirtërisht pas fitores në kryeqendrën shqiptare dhe në djepin e intelektualizmit shqiptar në Tetovë.

Marrëveshja për partneritet që ju dhe PDSH-ja po e ofroni nuk ka përkufizime. Disa po ë bëjnë copë përdhe e disa po e ngrisin në qiell si platformë kombëtare që do të hapë shtigje të reja. A nënkupton kjo se Marrëveshja e Ohrit ka vdekur?

- Partia Demokratike Shqiptare tashmë është duke e përgatitur platformën e re politike, shumë të thjesht për njerëzit e drejtë, të mirë, kombëdashës dhe, tepër shumë të rëndë për lakmitarët e pushtetit, planprishësit kombëtarë, tradhtarët dhe antishqiptarët. Nuk jemi në maratonë, në të njëjtin shteg me të gjithë ata që e lakmojnë legjitimitetin e pushtetit për ta nëpërkëmbur dinjitetin kombëtar shqiptar. Ne jemi në vrap për ta fituar legjitimitetin kombëtar dhe për ta fituar të drejtën e artikulimit dhe të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare. Vetëdijesimi dhe pranimi i fajit është gjysma e suksesit në rrugën kah e mbara kombëtare! E pranoj publikisht se dy herë kemi qenë në qeveri dhe se në të dyja herët kemi qenë të goditur në kurrizin e moralit tonë por, në asnjërën herë nuk jemi gjunjëzuar. Kemi dalë faqebardhë. Nuk ka më hyrje në qeveri pa u kurorizuar me legjitimitetin kombëtar. Për këtë ne i kemi hyrë një strategjie të re e cila di të jetë ekskluzivisht në të mirën e shqiptarëve të Maqedonisë. Përkrahjen e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme që tani do ta kundërshpërblej me premtimin dhe me dhënien e një bese të pathyeshme: në zgjedhjet e ardhshme do të kërkoj përkrahjen e shqiptarëve që të jem kryeministër i shqiptarëve të këtij vendi. Asnjëherë nuk kam pranuar dhe nuk do të pranoj të jem shërbëtorë i atyre që e nëpërkëmbin dinjitetin kombëtar të shqiptarit tim.

Iniciativën tonë fillimisht shumë palë u munduan ta perceptojnë e ta komunikojnë si incident ndëretnik por, në çastin kur u shtrua pyetja se kur u deshtë të mbyllet Marrëveshja e Ohrit, të gjithë heshtën. Mosreagimin e tyre e nënkuptoj si pëlqim për ta lëvizur situatën nga pozicioni zero. Marrëveshja e Ohrit është dashur të përfundojë së realizuari dhe së implementuari që në vitin 2004, ndërsa, pesë vjet më vonë pozicioni ynë kombëtar është shumëfish më i keq se sa para konfliktit të 2001-shit Po këta maqedonas që desh lanë mendtë kur u imponua kjo Marrëveshja, po këta maqedonas që ashiqare që në fillim u pozicionuan kundër implementimit të saj, po këta maqedonas që kurrë nuk e pranuan këtë Marrëveshje, tashmë, sa herë që dëshirojnë të shkelin mbi shqiptarë thirren në këtë Marrëveshje. Marrëveshja e Ohrit u është bërë pikënisje për degradimin e dinjitetit shqiptar! Kjo epokë do të marrë fund me iniciativën për marrëveshjen e re në mes të maqedonaseve dhe shqiptarëve të këtushëm.

Tashmë pa kurrfarë dyshimi është arritur deri te diagnostifikimi i probemit! Marrëveshja e Ohrit nuk funksionon, i ka skaduar afati dhe, si e tillë, duhet të mënjanohet e të kursehet opinioni nga konsumimi i saj. Pala maqedonase edhe me tej do të insistojë që të na e shesë si mall të shëndetshëm por ne duhet ta refuzojmë, sepse, fatkeqësisht, është mall me afat të skaduar. Unë tashmë kam ngritur inicitivë dhe, me grupin tim të këshilltarëve kemi ngritur zërin për kohabitim në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve. Më poshtë këtyre standardeve nuk mund të bie asnjë parti shqiptare, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet. Mbase kohëzgjatja ime fizike apo politike nuk do ta arrijë sendërtimin e këtij projekti por, për një gjë jam i sigurt, asnjë pati, asnjë strukturë dhe asnjë lider shqiptar nuk do të mund të bie poshtë standardeve kombëtare që po i vë tashmë PDSH-ja. Mbështetje do ta kenë jo vetëm platformën kombëtare të PDSH-së, por edhe sistemin politik të shteteve me demokraci të përkryer siç janë Zvicra, Belgjika, sidomos Kanada. Vlen të theksojmë këtu se, disa vite më parë, kishte inicitivë prej vetë kanadezëve që në këtë shtet të brishtë të instalojmë sistem të funksionimit të demokracisë konsencuale por, përderisa ne shqiptarët e pranonim këtë sistem, ishin pikërisht maqedonasit që e refuzonin. Demokraci konsensuale do të thotë vlerë e pakonenstueshme perëndimore! Kundër kësaj mund të jenë vetëm lindorët, ata që akoma vuajnë nga recidivat e egra komuniste.

A po radikalizohet PDSH-ja me të vërtetë apo po luani rolin e kinse një patie radikale?

- PDSH-ja është parti e aspiratave reale shqiptare. Vizioni dhe veprimi i saj politik është në korrelacion të plotë me vullnetin e shqiptarëve për të qenë të barabartë në të gjitha drejtimet në këtë shtet. Një matricë reale politike, që mbështetet në përpjekjen historike për të ruajtur dhe afirmuar dinjitetin kombëtar nga nëpërkëmbja dhe degjenerimet nuk mund të cilësohet radikale. Prani e PDSH-së, që po rishfaqet si një hov i ri i dinjitetit shqiptar është një përgjegjësi supreme e përkulur në seriozitet dhe sinqeritet për të ridimensionuar aktualitetin dhe horizontin politik në dinamikën e vet më sublime. Kjo është përunjësi politike përpara fateve të kombit, një kundërvënie strategjike që kërkon të animojë gjithë potencialin kombëtar në funksion të afirmimeve shtetformuese. Nuk mund të rrimë të heshtur përpara degjenerimeve politike. Kjo do të ishte vetëdorëzim në shkretëtirën e asgjësimeve të substancës kombëtare. Nacionalizmit të kërleshur maqedonas, PDSH-ja po i kundërvihet me një vizion të ri politik kombëtar, që kryekëput është edhe pretendim evropian. Nuk ka asnjë inkoherencë në këtë gjakim dhe asnjëfarë radikalizmi. Mjerisht, radikalizmi nga kundërshtarët tanë politik po përdorët për t'i demonizuar idetë politike kombëtare që janë në koherencë të plotë me afirmimet evropiane. PDHSH-ja urtësisht dhe me përgjegjësi të plotë do të jetë pranë këtyre pulsimeve politike që ridimensionojnë ecjen historike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Me PDSH-në do ta kenë shumë vështirë maqedonasit, siç e kanë pasur në të vërtetë! Ndërsa me BDI-në, oponencën tonë, fatkeqësisht e kanë shumë lehtë, meqë kjo parti me kohë është deklaruar si parti integriste dhe, si e tillë, provën e dha në këtë mandat qeverisës ku zotëri Ali Ahmeti i premtoi Gruevskit se për dy vjet rresht do ta mbyll çështjen kombëtare, pa marrë kurrfarë garancie se, kur do të hapet kjo çështje si do të duket! Ky është tashmë problem i BDI-së. Problem i PDSH-së është që të detyrojë strukturat shtetërore dhe ato ndërkombëtare të binden se ndarja e drejtë e buxhetit shtetëror është testi i parë për maqedonasit se janë të interesuar të zbatojnë ligjet përkatëse të buxhetit shtetëror me qëllim të përmirësimit të pabarazisë socio-ekonomike, e që peshon shumë rëndë mbi kurrizin e shqiptarëve të vendit. Nëse nuk përmirësohet ky qëndrim diskriminues antishqiptar e kemi të pamundur që të presim reforma institucionale në vetë skemën e funksionimit të qeverisë si dhe në funksionimin e brendshme administrative të qeverisë maqedonase. Çka dua të them! Nuk ka qeverisje të sinqertë, nëse nuk bën një reformë institucionale që do të shkonte në favor të respektimit të kuadrit shqiptar, pavarësisht se ku është i përfshirë ky kuadër. Do me thënë, nuk ka funksionim të lehtë e të rehatshëm të qeverisë, nëse ndryshimi i ligjeve nuk do të jetë në favor të shqiptarëve të vendit. Pra, do të vihet në negocim skema e ndarjes së pushtetit dhe e partneritetit shqiptaro-maqedonas në të gjitha rrafshet përmes principeve dhe mekanizmave të demokracisë koncensuale, në të kundërtën, do të ketë, nëse flasim me gjuhën e "revolucionarëve maqedonas" plotë komandantë e zëvendëskomandantë që ujin do ta shpiejnë në jazin e mullirit maqedonas.

Mjerisht blloku politik maqedonas po tenton që shqiptarët t'i shkrijë vetëm në shifra. Si i shihni koalicionet e ardhshme? Po shqiptarët në këto koalicione, si vasalë, apo si qeveritarë?

- Unë edhe një herë po premtoj publikisht: në të ardhshmen shqiptarëve të Maqedonisë do t'ua kërkoj votën për kryeministër të shqiptarëve dhe jo për participient apo për koalicionim në qeverinë maqedonase. Cilindo pozicion më të poshtëm apo më të degraduar të tjerët le të urdhërojnë të kërkojnë, qoftë edhe postin e ministrit të punëve të brendshme për ti shërbyer Gruevskit, le ta bind popullin për këtë për t'ia marrin votën. Do të këmbëngulim me çdo qelizë tonën që të jemi pjesë e fuqishme e pushtetit, për ç'gjë po ofrojmë kontratë konkrete, kontratë e cila e ngrit shqiptarin në po të njëjtin rang me maqedonasin e vendit. Marrëveshja jonë nënkupton detyrim të palës maqedonase që të respektojë kërkesat tona si dhe t'i ketë në konsideratë primare shqetësimet kombëtare shqiptare. Pse ne të brengosemi për çështjet maqedonase, duke përfshirë që nga territori e feja deri te identiteti dhe simbolet kombëtare! Ne të paktën nja njëqind vjet jemi para maqedonasëve ndaj na obligohet si detyre kombëtare që këtë fakt ta kenë parasysh maqedonasit dhe jo të ndjehemi tërë kohën si inferiorë karshi probleme të tyre të pakuptueshme dhe tepër tendencioze. A mund të përkulemi para një kërkese maqedonase që fare nuk e tangon problemin shqiptar? Në asnjë mënyrë!

Shqiptarët sërish do të thirren në referendumin maqedonas! Ose, identiteti maqedonas, referendumi, emri i shtetit, identiteti dhe simbolet kombëtare maqedonase! Sa po ju bëjnë përshtypje këto çështje?

- A duhet të thërrasim shqiptarë në referendum që do ta përcaktojë emrin e Maqedonisë! Gruevskit duhet t'i bëhet e qartë se, këtu, përveç shqiptarëve vasalë ka shumëfish më tepër shqiptarë dinjitozë e të mençur. Nëse dikush mendon se shqiptarët vullnetarisht do të votojnë në favor të shtetësisë dhe qenies maqedonase gjithnjë në dëm të shqiptarëve, Partia jonë përmes këtij dokumenti negociues synon që mos ta vulosë me vullnet robërimin e sërishëm kombëtar. Kjo marrëveshje do të jetë trokitje në ndërgjegjen e shqiptarëve, në vetëdijesimin e tyre përballë kanosjeve asimiluese sllavomaqedonase. Nuk është në pyetje vetëm identiteti maqedonas që këtu kinse kërcënohet nga grekët por edhe identiteti shqiptar që realisht kërcënohet nga maqedonasit. Nuk ka çmim ekonomik por as qasje politike që mund të na hamendësojë përballë interesave tona kombëtare. 500 milion dollarë, apo një miliardë euro duhet për realizimin e projekteve që do të sillnin një barazi të plotë në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve?! Nuk na intereson kjo! Neve na intereson, mbi të gjitha, avancimi i çështjes kombëtare për të cilën gjë do ta marrim verdiktin e popullit, jam më se i sigurt në këtë. Çështja shqiptare kushton miliarda dollarë më shumë se sa interesi i shtetit të maqedonasve, ndaj dhe kemi obligim kombëtar që ta nxjerrim në shesh marrëveshjen e re që duhet të arrihet në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve të vendit. Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare në vend dhe me këtë ta përjetojë atë kategorzimim të gjuhëve që fliten ne vend, sepse këtu flitet edhe gjuha serbe, ajo rome, boshnjake, turke, vllehe etj. Këtu gjuha shqipe ka qenë prezent shumë shekuj para se maqedonasit të kenë pasur alfabetin e tyre!

Fare në fund, do të ishte e pakuptimtë përpjekja e maqedonasve që të inkuadrohen në BE, sepse aty nuk ka diskriminime dhe as nëpërkëmbje të dinjitetit. Aty të gjithë duhet të jenë detyrimisht të barabartë. Atëherë, më mirë që të merremi vesh ne këtu, se sa një ditë, qoftë kjo ditë miliona vjet larg, të na ofrojnë ndërkombëtarët. Marrëveshja jonë ndëretnike, shqiptaro-maqedonase, duhet të arrihet sa më shpejt dhe pa kurrfarë ndërkëmbëza. Këtë marrëveshje nuk mund ta mohojë asnjë subjekt as maqedonas e as shqiptarë. Kjo marrëveshje do ta shpëtojë Maqedoninë dhe do t'ia ruaëj dinjitetin shqiptarit.

Për fund, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ashtuquajturin antikuizim të Maqedonisë. Sipas jush, kush mund të thirret më shumë në epokën antike të këtyre hapësirave, maqedonasit e sotshëm apo shqiptarët autokton?

- As që dua ta bisedoj këtë çështje që është e absolvuar shkencërisht. Dihet se shqiptarët janë autoktonë në këto troje, ndërsa të gjitha faktet flasin se maqedonasit janë të ardhur nga Karpatet, si të gjithë popujt tjerë sllavë në këto vise. Shihni, ju mund t'i ngrisni shtatore kuajve të ndryshëm, mund të thurni himne për legjendarë të ndryshëm, madje edhe për Mujon dhe Halilin, apo për Gjergj Elez Alinë, por në shpjegimin e historisë përherë i rëndësishëm është kontinuiteti. Bashkëqytetarët tanë të dashur, për fat të keq, kanë një diskontinuitet 2000 vjeçar dhe asgjë nuk dëshmon për antikitetin e tyre. Një gjë të këtillë historia e përbotshme nuk ua mohon shqiptarëve autoktonë. Unë them është më mirë që fare mos të merremi me varrëmihje. Ushtima e tyre është e trishtë...

INA

KOMENTE