English

PD: Rama ra dakord për Ristanin, ndaj dhe sulmet e tij janë një pafytyrësi politike

Tiranë, 20 korrik NOA - Vetëm një orë pas deklaratës së kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama i cili u shpreh se numrat e KQZ-së janë në dorë të Sali Berishës, ka reaguar Partia Demokratike me anë të zëdhënëses së saj.

"Sot Edi Rama, duke u përpjekur të fshehë humbjen, vazhdoi serialin e tij të shëmtuar të përsëritur ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor.

Lidhur me këto sulme të përsëritura të tij Partia Demokratike deklaron edhe një herë,

se të gjitha procesverbalet dhe tabelat e rezultateve të rretheve, Beratit, Shkodrës dhe Tiranës kanë firmat e të gjithë komisionerëve të PS të të gjitha niveleve, pa asnjë shënim apo vërejtje të veçantë" deklaroi Mëhilli.

"Rama që nuk i beson dot as këmishës së tij është e natyrshme që nuk ka se si ti besojë firmave të tyre.

Partia Demokratike nuk ndërhyn në problemet e brendshme të Partisë Socialiste edhe në rast se Rama padit në Gjykatë individualisht apo kolektivisht komisionerët dhe vëzhguesit e Partisë së tij" tha më tej Mëhilli.

Sipas saj lidhur me sulmet e Edi Ramës ndaj kryetarit të KQZ-së Ristani, i cili ka kryer me integrit të lartë detyrën e besuar, informojmë opinionin publik se midis 3 kandidaturave të paraqitura nga PD për këtë post është Edi Rama që ra dakord për Ristanin, ndaj dhe sulmet e tij nuk janë tjetër veçse një rrugaçëri dhe pafytyrësi politike.

"I kujtojmë z.Rama ndonëse ai është sot në krye të PS se dosjet e korrupsionit të tij të hartuara nga ministrat e PS dhe që janë sot eksponent kryesor të kësaj Partie gjenden në Prokurori.

Lidhur me mandatin e 9 të Fierit të cilin PS ia mori PDI sqarojmë edhe një herë pozicionin tonë.

Numërimi i votave në 2 qendrat e Libofshit është bërë në mungesë të komisionerëve dhe vëzhguesve të PD e PDI. Numërimi është bërë vetëm nga komisioneri socialist, i njohur si hajduti, që për të vjedhur shfrytëzoi errësirën dhe që fiku kamerat e filmimit të votave.

Vendimi I KQZ për t'ia kaluar mandatin e PDI Partisë Socialiste kundërshtohet nga kjo parti dhe mbështetet dhe do të mbështetet nga Partia Demokratike.

Le të shpresojmë dhe besojmë se Kolegji Zgjedhor mbi bazën e një gjykimi objektiv e të paanshëm do të marrë vendimet e drejta ligjore.

E përsërisim edhe një herë dhe i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga presionet kërcënimet dhe shpifjet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor" përfundoi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

k.k/NOA

KOMENTE