Shkup, 20 korrik NOA-Prindër dhe nxënës shqiptarë kanë protestuar sot në shenjë pakënaqësie kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit, për mos hapjen e paraleleve shtesë në gjuhën shqipe në shkollën e mesme të mjekësisë "Pançe Karagjozov".
Përfaqësuesi i këshillit të prindërve, Enver Miftari ka deklaruar se gjatë ditëve të ardhshme do të radikalizohen protestat e tyre, pas neglizhencës që i është bërë kërkesës së tyre nga ana e institucioneve shtetërore.
Këshilli i prindërve shqiptarë ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve para ministrisë së arsimit.
"Kërkojmë që të ndërhyhet sa më shpejt në zgjidhjen e këtij problemi, sepse përndryshe do të dalë situata jashtë kontrollit", ka theksuar përfaqësuesi i këshillit të prindërve, Enver Miftari.
Prindërit shqiptarë kërkojnë që të gjithë 270 nxënësit që kanë aplikuar të regjistrohen në drejtimin e mjekësisë, ndërsa ministria ka shpallur konkurs vetëm për 170 nxënës në pesë paralele. Edhe ministri i ri i Arsimit ka bërë të ditur se nuk do të zgjerojë numrin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Partia shqiptare në pushtet BDI nuk kanë dhënë komente lidhur me këto zhvillime në arsimin e mesëm në Shkup.
m.i/NOA