Korçë, 20 korrik NOA - Ishte më i vogli i grupit të cilët po ecnin drejt një are të mbjellë me jonxhe dhe destinacioni i tyre ishte një rezervuar ku do të laheshin.
Bashkë me vëllain dhe të afërmit e tij, vogëlushi vetëm 5-vjeç po përpiqej t'i ndiqte ata nga pas drejt rezervuarit, kur një gjarpër zgjodhi atë t'i hidhej në kurriz ku dhe e kafshoi.
24 orë pas  sulmit nga gjarpri 5 vjeçari ndërroi jetë pikërisht pasditen e djeshme.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së shtunës në fshatin Laminot, komuna Pirg e qytetit të Korçës, kur 5-vjeçari V.B u sulmua nga një gjarpër teksa po kalonte në një arë të mbjellë me jonxhe për të shkuar në rezervuarin e fshatit.
Tronditja e vogëlushit i cili ka ndjerë lëvizjet e gjarprit në trup dhe dhimbjet e pickimit e kanë hedhur atë në arë duke vënë alarmin.
Të vegjlit lajmëruan menjëherë familjarët të cilët transportuan me urgjencë 5-vjeçarin drejt spitalit të Korçës.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Korçës, gjendja e vogëlushit po përkeqësohej, duke detyruar ata ta nisnin drejt spitalit të Tiranës.
Ditën e djeshme djali u nis drejt spitalit të kryeqytetit, por ndërroi jetë gjatë rrugës.
Sipas mjekëve dyshohet se helmi i zvarranikut është përhapur me shpejtësi në gjak duke i shkaktuar vdekjen djalit të vogël.
Trupi i pa jetë i vogëlushit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminimet e mëtejshme.
Gjatë ekzaminime, mjekët konstatuan kafshime të gjarprit në pjesën e kurrizit dhe në njërën këmbë të 5-vjeçarit.
k.k/NOA
Â