Tiranë, 20 Korrik NOA Update - Shënohet rasti i parë i prekjes nga virusi vdekjeprurës H1N1 në Shqipëri, konfirmoi për agjencinë e lajmeve NOA, një burim zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë.
"Ne morëm mbrëmjen e së Hënës, analizat e mbërritura nga Rumania dhe Britania e Madhe për një studentë 21 vjeçar nga qyteti i Gjirokastrës, i cili u dyshua para 14 ditësh kur iu nënshtrua një vizite mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë", thanë burimet zyrtare nga dikasteri i Shëndetësisë.
Aktualisht, studenti besohet se gjendet në Greqi ku ka shkuar për arsye personale.
Mësohet se djali gjirokastrit i cili studionte në Universitetin e Tiranës, kishte shfaqur më 5 korrik, simptoma të gripit, sikunder pohoi per agjencinë e lajmeve NOA, Alban Ylli, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.
Fillimisht nga vizita e kryer, u dyshuar për virusin A. Megjithatë, për shkak të specifikave të konstatuara, u vendos që të bëheshin analiza në Bukuresht të Rumanisë dhe më tej në Londër.
Përgjigjja ka ardhur pikërisht mbrëmjen e së Hënës nga Londra dhe iu komunikua Ministrisë së Shëndetësisë, duke e informuar se djali nga Gjirokastra është prekur nga virusi i rrezikshëm i gripit të derrave, AH1N1.
Më herët, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, deklaroi se të paktën 80 raste të dyshuara kishin shkuar për analizë por "deri tani nuk kemi pasur asnjë të diagnostikuar".
Por Godo theksoi se "gripi i derrave ose ka mbërritur ose pritet të vijë".
/k.b/NOA/