Tiranë, 21 korrik, NOA - Mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës (KRRTRSH) ka nisur sot punimet nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha.
Në fjalën e hapjes, ai ka pohuar se nuk ka ndërmend t'i marrë në konsideratë deklaratat e antiglobalistëve siç ka preferuar t'i cilësojë, kundërshtarët e projekteve të iniciuara prej qeverisë së tij, si termocentralet.
"Në Evropë janë në ndërtim e sipër me dhjetëra e dhjetëra termocentrale dhe kjo nuk është një gjë e re, por antiglobalistët në Shqipëri i kundërshtojnë ata", ka pohuar kreu i qeverisë.
Duke sulmuar në mënyrë direkte kryesocialistin Rama, ai ka pohuar se fryma antiglobaliste gjendet në një grup të së majtës.
"Antiglobalistët mbrojnë interesat e mafias", ka thënë më pas ai, duke i cilësuar si të papërgjegjshme deklaratat e Ramës për termocentralet.
Ndërkaq, mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka iniciuar me pikën e tij të parë, studimin e lejes për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldren të Lezhës.
n.e/NOA